Prishtina ka konfirmuar trajnerin e ri që do të drejtojë skuadrën për sezonin e ardhshëm. Bardheblutë i kanë besuar timonin trajnerit, që ishte pjesë e suksesit të këtij sezonit ku skuadra e Prishtinës arriti të fitonte kupën e Kosovës.
Debatik Curri është tashmë kryetrajneri që do të udhëheq kryeqytetasit për sezonin e ardhshëm. Ka qenë vetë klubi që e ka bërë të ditur lajmin nëpërmjet një postimi në kanalin e tyre zyrtar në Facebook.
“Debatik Curri emërohet kryetrajner i FC Prishtina
Ish-futbollisti jonë, që nga kategoritë e reja, si lojtar kishte fituar titullin e kampionit, kurse trofeun e Kupës e arriti si ushtrues detyre i kryetrajnerit. Curri, 39 vjeç, futbollist me përvojë të madhe ndërkombëtare, trajner i skuadrës që nga viti 2018, ka bindur krerët e klubit për t’i dhënë përgjegjësinë e madhe që edhe zyrtarisht t’i prijë skuadrës më të madhe në vend”, ka shkruar Prishtina në postimin e saj.
Pas detyrës së re ka folur edhe vetë trajneri i sapo emëruar.
“Jam shumë i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me klubin e zemrës, FC Prishtina. Vendimin për emërimin si kryetrajner, e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, është privilegj për mua.
Kjo më jep përgjegjësi që të vazhdoj t’i ushtrojë detyrat e mija të plota që këto suksese t’i përsërisë edhe në edicionin e ri.
Objektivat e skuadrës janë të qarta.
Ekipi ka shumë futbollistë të rinj të talentuar që do të jenë shtylla kryesore e skuadrës. Ndërsa pres që klubi në ditët në vazhdim do të më ofroj edhe futbollistët që kam planifikuar t’i kem për sezonin e ri.
Dua të falënderoj udhëheqësit e klubit dhe drejtorin sportiv Driton Krasniqi, për besimin e dhënë.
Jam i bindur se do të vazhdojë rrugën e lavdishme të një klubi siç është Prishtina”, ka thë Curri.