Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së 33-të në Superligën e Kosovës, aty ku kanë mbizotëruar barazimet.
Sfida mes Ferizajt dhe Malishevës u mbyll me rezultatin 1-1, ndërsa në krahun tjetër, Llapi dhe Dukagjini nuk ia dolën të gjenin rrugën e rrjetës, duke përfunduar takimin në shifrat 0-0.
Me këto rezultate, Malisheva “kyç” njëherë e mirë pozitat në vendin e 3-të me 53 pikë në total që do të thotë një vend në kualifikueset e Kupës së Europës, ndërsa Ferizaj mbetet në vendin e 9-të me 35 pikë, duke rrezikuar ndjeshëm rënien një kategori më poshtë.
Po ashtu, e hapur mbetet dhe fronti i mbijetesës mes Llapit dhe Dukagjinit, të cilave pika nuk i kënaq aq sa duhet për të shpresuar qëndrimin në elitë. Distanca mes tyre është vetëm 2 pikë, ku Dukagjini pozicionohet i 7-ti dhe Llapi i 8-ti në klasifikimin e përgjithshëm dhe 3 javë nga fundi i sezonit të rregullt do të luhet gjithçka për gjithçka.
