Derbi i kryeqytetit ka rezultuar një “thriller” i vërtetë ndërmjet Prishtinës së Re dhe Prishtinës, e cila përfundoi në avantazhin e vendasve me rezultatin 3-2.
Goli i Kryezit në minutat e fundit të pjesës së parë përmes 11-metërshit solli dhe avantazhin e miqve në fraksionin e parë të sfidës, ndërkohë që në 45 minutat “finale” Muja dyfishoi epërsinë në 0-2.
Megjithatë, përmbysja e jashtëzakonshme erdhi në harkun e 22 minutave dhe në sajë të sulmuesit nga Belgjika, Kargbo i cili fillimisht hapi siparin që në minutën e 55-të, përpara se Mekis po me 11-metërsh të rikthente baraspeshën. Po i njëjti autor i golit të parë shënoi dhe të fundit në minutën e 77-të për t’i dhënë goditjen përfundimtare.
Me këtë rezultat, Prishtina e Re kthehet te fitorja pas 3 humbjeve radhazi duke shkuar në kuotën e 31 pikëve duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesën, ndërsa Prishtina mbetet në vendin e 4-të me 45 pikë.
