Ditën e sotme Kategoria e Parë do të mbyllë javën e 12-të të saj me dy ndeshje mjaft interesante. Në këto sfida, dy ekipe luajnë për kreun e kampionatit, e të tjerët për “Top 6” dhe pikë jetike.
Flamurtari kryesues me 28 pikë do të udhëtojë në transfertë për t’u përballur me Burrelin. Një sfidë delikate për skuadrën vlonjate, pasi në fazën e parë u mposhtën nga matjanët. Këta të fundit kërkojnë pikë për të qenë pjesë e “Top 6”.
Në krahun tjetër, një tjetër pretendent si Besa e Kavajës do të presë në shtëpi Valbonën. Me 25 pikë të grumbulluara, Besa shpreson te hapi fals i Flamurtarit dhe fitorja e tyre ndaj Valbonës. Këta të fundit luajnë për pikë jetike, pasi ndodhen në vendin e parafundit me 9 pikë.