Kukësi u mposht nga Bylis B, duke rënë përfundimisht në Kategori e Dytë, kampionat në të cilin do të luajnë sezonin e ardhshëm. Fati i kësaj sfide u përcaktua nga "ruleta ruse", pasi koha e rregullt" për të dyja skuadrat përfundoi në barazimin 1-1, e ku verdikti përfundimtar "i buzëqeshi" pikërisht ballshiotëve.
Megjithatë, duket se klubi nuk bie dakord me këtë rezultat, duke i bazuar pretendimet e tyre në shkeljet e bëra nga kundërshtari. Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, ata nënvizojnë se ekipi i dytë i Bylisit ka aktivizuar 9 lojtarë, ndryshe nga çfarë parashikon neni i rregullores ku lejohet vetëm aktivizimi i 5 të tillë dhe me kushtin thelbësor që 3 prej tyre të kenë luajtur më pak se 10 ndeshje me ekipin e parë.
Ata shtojnë se janë treguar rigoroz me të gjitha protokollet dhe kërkojnë fitoren në tavolinë duke besuar se organet kompetente pranë FSHF-së do të japin vendimin e duhur lidhur me këtë çështje.
REAGIMI:
"Pas ndeshjes “Play Out” ndaj Bylis B, FK Kukësi i është drejtuar zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komisionit të Disiplinës për shqyrtimin e shkeljes së Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike.
Në bazë të listave të federimit, protokollit zyrtar të ndeshjes dhe sistemit COMET, rezulton se Bylis B ka aktivizuar 9 lojtarë të regjistruar tek ekipi A: Ahmed Ibrahim Adepoju, Ibrahim Ademola Akibu, Renato Beqaj, Dime Dimov, Guilherme Ferreira Buranelli, Ergi Hodo, Robert Muric, Paulo Pjeshka dhe Gjorgji Stoilov. Sipas nenit 52.16, lejohet aktivizimi i vetëm 5 lojtarëve nga ekipi A, ku 3 prej tyre duhet të kenë më pak se 10 ndeshje me ekipin e parë gjatë sezonit. Këto kushte nuk janë respektuar, duke përbërë shkelje të rregullores.
FK Kukësi ka respektuar të gjitha pikat e rregullores, përfshirë edhe afatin e ankimimit brenda 24 orëve, sipas procedurave zyrtare, duke bashkangjitur dokumente që verifikojnë shkeljen, pamje filmike dhe protokollin zyrtar.
Kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të ngjashme me Bylis B, ku janë marrë vendime për humbje në tavolinë për shkelje të rregullores.
Për këtë arsye, klubi ynë kërkon zyrtarisht fitoren në tavolinë, në përputhje me rregulloren dhe precedentët ekzistues.
FK Kukësi ka besim të plotë se organet kompetente të FSHF-së dhe Komisioni i Disiplinës do të japin një vendim të drejtë, të bazuar në fakte dhe në mbrojtje të integritetit të garës.
Faleminderit tifozëve për mbështetjen e vazhdueshme".
