
Vllaznia do të luajë ditën e shtunë ndeshjen e javës së 7-të të Superiorer, ku do të përballet me Bylisin. Shkodranët do të kërkojnë vazhdimësinë pozitive, pasi momentalisht ndodhen në vendin e parë me 13 pikë, po aq sa Egnatia.
Nga ana tjetër Bylis nuk ka pasur një start aq të mirë kampionati, ku pas 6 javësh kampionat ndodhet në vendin e 7-të me 6 pikë të grumbulluara. Para sfidës, portieri i Vllaznisë, Pohls Leon-Maurice ka dalë në një intervistë duke treguar për gjendjen e skuadrës.
28 vjeçari ka është shprehur se do të jetë një transfertë e vështirë, por pritshmëritë janë të mëdha. Ndër të tjera Phols është ndalur për të folur edhe për mungesën e Gjinit, rivalitetit me portierin tjetër të Vllaznisë, Aron Jukaj, presionit për titull dhe fitores së Kombëtares shqiptare.
Transferta në Ballsh?
Është një eksperiencë e re për mua. Nuk kam luajtur më përpara atje. Kam dëgjuar që është fushë e vështirë. E dimë se ka edhe fansa atje, jemi përgatitur gjatë gjithë javës, si nga ana psikologjike për këtë ndeshje. Ambicia jonë të shkojmë vetëm për 3 pikë.
Si duket gjendja?
Ka mjaft uri në ekip, çdokush ka qejf të luajë në formacion. Kemi pasur disa probleme me dëmtimet, por trajneri bashkë me drejtorin kanë ndërtuar ekip me lojtarë të mirë në çdo pozicion. Kushdo të jetë nesër, është gati të luajë.
Mungesa e Gjinit? E dimë që Gjini deri tani ka qenë lojtar mjaft i rëndësishëm, por siç thashë kemi lojtarë mjaft të mirë që mund ta zëvendësojnë. Në fund të ditës është trajneri që do të vendosë, siç e thashë kemi mjaft lojtarë të mirë.
Ndërprerja e kampionatit?
Kemi mjaft uri gjithsecili prej nesh në ekip. Në këtë ndalesë kampionati na u shtua më shumë uria për të luajtur. Dhe ndeshjen e radhës jemi vetëm për fitore, jemi gati për nesër.
Si ndiheni personalisht te Vllaznia?
Jam përshtatur mjaft mirë. Jam gati prej tre muajsh pjesë e Vllaznisë dhe po ndihem mjaft mirë. Po ashtu edhe me kohën. Nga kushtet atmosferike do jetë pak më ftohtë, po ashtu edhe fusha me më tepër reshje, siç jam mësuar më përpara. Dhe po përshtatem mjaft mirë me vendin. Për momentin fokusi ynë është vetëm te ndeshja nesër dhe asgjë tjetër.
Rivaliteti me Jukën?
Ky është futbolli, ndodh gjithmonë. Kam qenë edhe unë portier i ri, në këto situata. E di që Aroni është një portier mjaft i mirë. Siç thashë nuk ka lidhje çdo gjë tjetër, vetëm fitorja nesër dhe kualitetet që kemi në çdo pozicion, që nga portieri te sulmi, na bën një ekip më të fortë. Në fund është sport kolektiv, të gjithë duam të fitojmë ndeshjen dhe të marrim 3 pikëshin.
Presioni për titullin?
Gjithmonë është një presion, fansat janë më të shumtët në Shqipëri. Ka gjithmonë objektiv dhe pritje për titull dhe duhet ta përmbushim atë. E dimë që fansat presin shumë prej nesh, fokusi për ne është gjithmonë ndeshja e radhës dhe 3 pikëshi ndaj Bylisit.
Ndërprerja e kampionatit, sa ka shërbyer?
Po, është koha për më tepër fokus. Me dhënë më tepër në stërvitje, 100%. Nëse stërvitesh maksimalisht, atëherë ashtu do të jetë edhe në ndeshje.
Fitoret e Kombëtares shqiptare, si ndiheni?
E kam parë ndeshjen. Nuk jam shqiptar, por kisha emocion që të fitonte Shqipëria. Jam edhe gjysmë boshnjak nga origjina. Jam shumë i lumtur për Shqipërinë, ka një mundësi të mirë për t’u kualifikuar në Botëror. Dhe do bëj tifozllëk për ta, që të kualifikohen në Botëror.
Do e mbani portën paprekur në Ballsh?
Normal që po, mesa kam informacione nuk kemi pasur rezultate pozitive në ndeshje jashtë. Prandaj jam aty, që të marrim 3 pikët dhe të mbajmë portën e paprekur. Do të shikojmë të gjithë 100% nesër për 3 pikët.