Dinamo ka prezantuar edhe zyrtarisht goditjen në këtë merkato të veres, pasi ka afruar sulmuesin Almir Ajzeraj.
Përmes një njoftimi të bërë publik në një komunikatë zyrtare në rrjetet sociale, klubi bën të ditur se 28-vjeçari do të vihet në dispozicion të trajnerit Ilir Daja për përgatitjet për sezonin e ri, duke filluar me ndeshjen e parë të Conference League, përballë Astanës.
Siç shkruhet në këtë komunikatë, theksohet se për të bërë "fakt të kryer" këtë tratativë, është kujdesur vetë presidenti Adrian Bardhi, për të plotësuar çdo kërkesë të Dajës në këtë sesion të merkatos.
Ajzeraj vjen te kryeqytetasit me një eksperiencë të lakmueshme në karrierën e tij, pasi këtë sezon që lamë pas u shpall dhe kampion i Superligës së Kosovës me Dritën, ku mbylli edicionin me 47 paraqitje, duke shënuar vetëm 1 gol. Më parë, sulmuesi i qendrës ka qenë pjesë e Skënderbeut në Superiore.
POSTIMI:
"Mirë se vjen Almir Ajzeraj!
FC Dinamo ka kënaqësinë të njoftojë se Almir Ajzeraj është lojtari ynë më i ri.
Skuadrës sonë i bashkohet një futbollist me kualitet dhe eksperiencë edhe në arenën ndërkombëtare, pas aktivizimit me Dritën në grupet e Conference League sezonin e shkuar.
Ajzeraj, 28 vjeç, luan në të dy krahët e sulmit, apo edhe si numër 10. Lojtari ka firmosur kontratën me klubin tonë dhe i është bashkuar skuadrës në Ohër, ku po zhvillohet faza përgatitore.
Presidenti Adrian Bardhi është i angazhuar maksimalisht për të plotësuar të gjitha kërkesat e trajnerit Ilir Daja në merkaton e verës, duke e kompletuar skuadrën në çdo aspekt që ajo të jetë sa më kompetitive në Europë dhe sezonin e ardhshëm.
Pas Almir Ajzerajt, do të ketë të tjera dhurata për stafin teknik dinamovit.
Mirë se vjen në familjen blu dhe suksese me fanellën e 18 herë kampionëve të vendit Almir Ajzeraj!"
