
Partizani ka triumfuar në transfertë përballë Skënderbeut në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të Superiores. Sfida që u zhvillua në stadiumin e Korçës, përfundoi 1-2 në favor të miqve. Pas kësaj sfide ka folur trajneri fitues, Arbër Abilaliaj.
“Doja të falenderoja djemtë për shpirtin e garës, sidomos në pjesën e dytë. Asgjë nuk bëmë, thjeshtë një lëvizje taktike që na takonte në krahun e majtë. Agresiviteti ishte diçka tjetër. Në pjesën e parë kemi dominuar pasi kishim shumë raste dhe kontrollin e lojës. Na kanë ardhur në zonë me top të gjatë. Rasti i penalltisë nuk di çfarë të them. Jam i kënaqur me djemtë, e di situatën dhe si po punojnë.
Në mos gaboj Skënderbeu ka pasur në pjesën e dytë 2-3 raste të cilat kanë qenë të pastra. Nga mënyra si kanë ardhur, për një mbrojtje që ka qenë më i konsoliduari… I kuptoj pasi janë futbollistë të rinj, por kanë humbur pakëz besim nga rezultatet e fundit. Do të punojmë akoma më shumë, pasi s’kemi pasur kohë. Nuk është se mbrojtja nuk u paraqit mirë, por me ato 2-3 momente mund të na ndëshkonin.
Uroj dhe mendoj se me hapësirën që kemi për të punuar, do ta rregullojmë këtë gjë. Këta çuna gjatë gjithë sezonit e kanë treguar veten se në çfarë niveli mund të luajnë. Nuk janë mësuar që të jenë në presion kaq të madh. Grupi ka kualitet, reparti difensiv i yni është më kualitativi nga të gjitha repartet që kemi. Jam i lumtur që morëm atë fitore karakteri.
Kote, Eleke, Podstrelov? E them me bindje, Kote nuk është më surprizë. Sot ky 90 minutësh e tregoi realisht se cili është potenciali i tij i vërtetë. Ai thyente linjat, tranzicioni pozitiv për ekipin tonë. Nëse Eleke do të jetë afër 100% të tij, Partizani përpara bëhet tepër skuadër potente. Podstrelov dihen cilësitë e tij. Nëse Eleke do të lërë pas dëmtimet, do ta ndihmojë shumë skuadrën. Këto ditë kanë qenë të vështirë, por jo shumë në aspektin personal. Duke parë futbollistët se në çfarë gjendje psikologjike kanë qenë dhe si kanë fituar.
Në të 3 ndeshjet ka qenë një problematikë. Si me 3 apo me 4 mbrojtës, kjo problematikë është përsëritur. Nuk mendoj se është çështje numrash, por psikologjike. E kam parë në stërvitje dhe 3 ndeshjet e fundit si kanë reaguar. Na kanë ardhur me topa të gjatë. Ka qenë shumë e vështirë të vije te porta jonë. Por e kemi kualitetin për ta zgjidhur, çunat e kanë besimin tim. Kushdo që merret me këtë punë e kupton se çfarë kualiteti ka Partizani”, tha Abilaliaj.