Shqipëria dhe Anglia zhvilluan mes tyre ndeshjen e fundit në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Një përballje pa shumë histori mes skuadrave, të cilat kishin mbyllur “llogaritë” me kualifikimin.
Kuqezinjtë për herë të parë siguruan “Play-Off”, ndërsa “3 Luanët” tashmë janë pjesëmarrës në Kupën e Botës. 90 minutat e zhvilluara në “Air Albania” shkuan në favorin e anglezve, me këto të fundit që triumfuan 2-0 ndaj ekipit tonë, ku dopieta e Harry Kane iu dhuroi një tjetër 3 pikësh.
Por përveç rezultatit, nga kjo sfidë shqiptarët kanë dalë të “fituar”. Fillimisht tifozët të cilët mundën të siguronin bileta për këtë përballje, patën fatin të shikojnë nga afër “yjet” e Anglisë. Dhe nga ana tjetër FSHF ka mbushur “arkat”.
Kjo pasi FSHF ka fituar shumën e majme nga shitja e biletave. Duke qenë se biletat dolën “sold –out” që në fillimin e javës, praktikisht 20 mijë bileta të shitura, ku çmimet e tyre ndryshojnë nga sektori në sektor. Nga një përllogaritje e vogël zbulojmë se shumë që ka arkëtuar FSHF kap shifrën e 1.75 milionë eurove.
Gjithashtu kjo shumë mund të shkojë rreth 2 milionë euro, pasi siç dihet ka bileta nga sektorë të ndryshëm që nuk kanë dalë fare në shitje, pasi janë administruar nga FSHF apo si biletat e tribunës VIP që kanë çmimet më të larta.
Kështu nga fitimet, dueli me Aanglinë konsiderohet si sfida më e shtrenjtë në historinë e Kombëtares shqiptare dhe arkëtimet më të mëdha nbga FSHF-ja.
