FootbALL Week, aktiviteti i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë dhe Dyrrah City Football Academy, u mbyll pas një jave të mbushur me sport, edukim dhe solidaritet.
Eventi, i zhvilluar në kuadër të “British Week” dhe në prag të ndeshjes Shqipëri – Angli, mblodhi së bashku universitete, ambasada, kompani, trajnerë profesionistë dhe dhjetëra fëmijë nga institucione të ndryshme arsimore.
Gjatë kësaj jave u organizuan turneu i futbollit 6×6 me pjesëmarrje të gjerë, seanca trajnimi për fëmijë me trajnerë të licencuar nga Manchester City Football School, ndërsa u zhvilluan edhe gjysmëfinalet, finalja e turneut dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Në duelet gjysmëfinale, ekipi i FSHF u përball me ekipin e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa Dyrrah City me DFPO.
Në finale avancuan ekipi i FSHF pasi fitoi 2-1 ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe DFPO pasi mundi 6-2 Dyrrah City-n.
Finalen e turneut e fitoi ekipi i FSHF, ndërsa skuadra e British Embassy Tirana mori çmimin “Fair Play” të turneut.
FootbALL Week kishte një mision të qartë social: mbështetjen e fëmijëve të Institutit të Nxënësve që nuk dëgjojnë dhe të fëmijëve me vështirësi ekonomike. Të ardhurat nga regjistrimet e ekipeve pjesëmarrëse do të shkojnë për sigurimin e një pakete vjetore zhvillimi për fëmijët e talentuar të këtij institucioni, duke përfshirë regjistrimin në akademi, trajnime profesionale dhe transport.
Ky aktivitet i veçantë kishte si qëllim përçimin e mesazhit se futbolli mbetet një forcë që bashkon dhe krijon mundësi për të gjithë.
