Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SPORTMIX

VIDEO/ Jahmir Hyka shkëlqen me eurogol, Shqipëria e Socca-s nis me këmbën e mbarë Kampionatin Europian! Kuqezinjtë “shuplakë” Turqisë

Shkruar nga NEWSPORT
VIDEO/ Jahmir Hyka shkëlqen me eurogol, Shqipëria e Socca-s nis me
Kombëtarja shqiptare e Socca-s

Kampionati Europian i Socca-s ngriti sot zyrtarisht siparin në Shqipëri, në një atmosferë festive në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, që për ditët e turneut është shndërruar në epiqendrën e minifutbollit europian.

Gjatë gjithë ditës u zhvilluan ndeshjet e para të fazës së grupeve, ndërsa mbrëmja kulmoi me ceremoninë zyrtare të hapjes së aktivitetit. Spektakli i organizuar përpara ndeshjes së Shqipërisë solli muzikë, performanca artistike dhe një atmosferë elektrizuese në mini-stadiumin e ndërtuar posaçërisht për këtë kampionat.

Në orën 21:00 nisi edhe sfida mes Shqipërisë dhe Turqisë, ku Kombëtarja shqiptare e Socca-s e nisi me fitore rrugëtimin europian, duke triumfuar me rezultatin 5-0.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Irtan Sejko dominoi takimin dhe kaloi në avantazh që në minutën e 6-të me golin e Flavio Prendit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për kuqezinjtë.

Në pjesën e dytë, Shqipëria vulosi fitoren me katër gola të tjerë. Fillimisht realizoi Xhuliano Reçi, më pas Jahmir Hyka shënoi golin e tretë në minutën e 33-të, ndërsa Mario Ademi realizoi golin e katërt vetëm një minutë më vonë. Në fundin e takimit, Mehmet Hoxha shënoi edhe golin e pestë pas një asist perfekt nga Mentor Mazrekaj.

Goli i Jahmir Hykës

Për ndeshjen ndaj Turqisë, trajneri Sejko u paraqit me këtë grup lojtarësh: Bleron Berisha, Joanc Duqi, Flavio Prendi, Irvi Bylyku, Oltion Rapa, Erald Leci, Jahmir Hyka, Xhulian Reci, Guido Tepshi, Endrit Kaca, Mehmet Hoxha, Kejd Myrta, Mario Ademi, Mentor Mazrekaj dhe Arvi Shala.

Shqipëria do të luajë nesër ndeshjen e dytë të Grupit A ndaj Qipros, takim që do të zhvillohet në orën 20:00 në “Shtëpinë e Futbollit”.

Poll

Lexo gjithashtu