Visar Bekaj e ka patur karrierën të lidhur ngushtësisht me dy ngjyrat, atë bardheblu. Portieri i cili luan momentalisht tek Tirana, është rikthyer pas në kohë në një intervistë të dhënë për “Telegrafin”, për periudhën kur mbronte portën e Prishtinës në Superligën e Kosovës.
Ai kujton “pengun” e madh që nuk mori kampionatin, edhe pse ishin shumë afër këtij trofeu, ndërsa shtoi se në një të ardhme të afërt, mund të rikthehet sërish tek kjo skuadër për të mbyllur karrierën si profesionist, deklarata të cilat mund të marrin edhe konotacion largimi nga kryeqytetasit e Superiores.
“Jam ndjerë shumë keq domethënë. E humbëm titullin me Feronikelin, në ndeshjen e fundit. Edhe pastaj me Gjilanin e kishim dy deri në tre xhiro para para fundit. Që ta jep ai të kuqin. Dal e largoj topin me kokë, përplaset Progni tek mua dhe unë e marr kartonin e kuq. Mendoj se është një gabim shumë i madh i arbitrit.
Pas atij viti e fituam Kupën dhe shkova në Tiranë. Shkova në Tiranë, Prishtina kampion. Thashë çfarë po bëhet, menjëherë kampion. Po shyqyr Zotit, vitin tjetër me Tiranën u bëra kampion.
Të ka mbetur peng që s’e ke fituar titullin me Prishtinën?
Si jo. Shumë qejf kam të bëhem njëherë me Prishtinën dhe shpresoj që në një të ardhme të bëhet. Pse jo. Kam qejf ta mbyll karrierën në Prishtinë”, u shpreh Bekaj.
