Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

FEMRAT

Shorti i vendosi përballë Uellsit, trajneri Armir Grima optimist për kualifikimin: Kundërshtar që e njohim shumë mirë, duhet edhe një sforco për të treguar se Kombëtarja ka rritje

Shkruar nga NEWSPORT
Shorti i vendosi përballë Uellsit, trajneri Armir Grima optimist
Trajneri Armir Grima

Kombëtarja shqiptare e vajzave njohu sot kundërshtaret në raundin e parë dhe të dytë të fazës play-off të Kampionatit Botëror “Brazil 2027”. Pas shortit të hedhur në selinë e UEFA-s, vajzat kuqezi mësuan se do të përballen me Uellsin në raundin e parë dhe në rast kalimi, do të përballen me fituesen e çiftit Rumani – Norvegji në raundin e dytë.

Pas shortit, trajneri i Kombëtares Armir Grima, në një prononcim për fshf.org komentoi kundërshtaren e raundit të parë, mundësitë e ekipit për të avancuar më tej, si edhe arritjen e rëndësishme të kualifikimit të përfaqësueses shqiptare në fazën play-off.

Shorti dhe përballja me Uellsin – Na ra një kundërshtar që e njohim. Ndeshjen që kemi bërë në Elbasan e kemi bërë mjaft dinjitoze. Do të luajmë shanset tona, do të bëjmë përpjekjet tona për ta kaluar dhe ndoshta do të kemi edhe pak fat për ta kaluar këtë kundërshtare.

Arritja e përfaqësueses shqiptare në fazën play-off – Është e vërtetë. Duhet thënë që të gjithë kundërshtarët janë shumë të fortë, kushdo që do të na binte. E dimë vështirësinë dhe forcën e këtyre kundërshtarëve, por ne do të bëjmë përpjekjet tona dhe do të hyjmë në fushë për të bërë më të mirën tonë.

Përballja me fituesen e çiftit Rumani – Norvegji në raundin e dytë, në rast kalimi me sukses ndeshjen ndaj Uellsit – Mendoj që është mirë t’i marrim me radhë dhe pastaj të mendojmë për aq larg. Të shohim dhe të bëjmë atë që është për t’u bërë për këtë ndeshje, e më pas kemi kohë për të folur për turin tjetër. Të dyja janë kundërshtare me të cilat kemi luajtur. Norvegjia është mjaft e fortë, por fillimisht e kemi mendjen te Uellsi.

Mesazhi për vajzat pas arritjes në fazën play-off – Unë jam shumë i kënaqur me vajzat, jam i lumtur që i kanë arritur këto rezultate. E meritojnë, kanë dhënë shumë. Por kemi prapë për të dhënë dhe duhet të bëjmë një sforco për të treguar se Kombëtarja jonë ka rritje dhe cilësi.

 

Poll

Lexo gjithashtu