Uellsi do të jetë rivali i Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2027 që do të mbahet në Brazil. Një kundërshtar që vajzat kuqezi e njohin pasi janë përballur edhe në Grupin 1.
Pas rezultatit që prodhoi ky short për Kombëtaren, ka folur edhe Kryetarja e Futbollit për Vajza në vend, sikurse anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha.
“Duhet të jemi krenarë njëherë që erdhëm deri në këtë fazë, ku jemi në ceremoninë e play-offit të Kupës së Botës për vajzat, Brazil 2027, gjë që është e para herë edhe në historinë e futbollit të vajzave në Shqipëri.
Kështu që deri në këtë fazë kemi bërë maksimumin tonë dhe vajzat kanë qenë të jashtëzakonshme në fushë, stafi ka qenë jashtëzakonisht suportiv, por mbi të gjitha edhe vetë federata.
Tani sa i përket shortit, kemi dy ekipe na kanë rënë në short le të themi tre ekipe të cilat praktikisht i njohim, por po themi për ndeshjen e parë kundër Uellsit. E njohim shumë mirë sepse kemi luajtur këtë vit, pavarësisht se ndeshja e parë ishte një rezultat jo shumë i kënaqshëm.
Ndeshja e dytë që u luajt në “Elbasan Arena” tregoi një performancë të jashtëzakonshme të vajzave tona. Mundet fare mirë, jo vetëm ta kishim barazuar atë ndeshje por edhe ta kishim fituar.
Kështu që kam shpresa, kam optimizëm dhe sikurse thonë stafet tona apo siç thotë dhe profesor Grima duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, një nga një. Ne e themi me tonën që shpresojmë të fitojë Rumania.
Edhe Norvegjinë e njohim, është një kundërshtar që e njohim dhe sigurisht që kemi luajtur por kemi luajtur në një kohë të hershme që do të thotë në harkun kohor të dy viteve. Edhe vajzat tona, edhe ekipi ynë është konsoliduar, jo vetëm sa i përket prurjeve të reja, por edhe përsa i përket investimeve, mënyrës se si stërviten. Pra gjithçka sikurse thuhet në futboll duhet t’ia lëmë lojës por padyshim edhe me suportin tonë të jashtëzakonshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit”, tha Basha.
