Shqipëria preku play-off-in, pas fitores përballë Malit të Zi, në kuadër të ndeshjes së tretë të grupit B1 për Botërorin. Sfida e zhvilluar në stadiumin "Loro Boriçi" përfundoi 5-2 në favorin e vajzave kuqezi.
Pas takimit, foli për mediat edhe autorja e golit të 5-të, atij që vulosi dhe fatin e kësaj përballjeje, Arbiona Bajraktari.
“Jam shumë e lumtur për arritjen e Kombëtares. Realisht e kemi merituar, kemi bërë, sidomos ndeshjet e fundit kemi bërë ndeshje shumë të mira. E merituam. Ndoshta kjo nuk ishte ndeshja më e mirë por duhet me patjetër të fitohet dhe ishte një ndeshje shumë emocionuese. Normalisht që emocionet bëjnë të vetën dhe ndoshta kemi bërë pak gabime, por në fund ia arritëm të fitonim dhe të marrim tre pikë.
Ndoshta në pjesën e dytë ishim më të qetë dhe kemi patur posedimin e topit dhe sigurisht që e dëshironim fitoren më shumë se kundërshtari dhe ia arritëm.
Golin që kam shënuar ia dedikoj familjes sime, veçanërisht babait tim i cili nuk mungon asnjëherë në ndeshjet e mia”, tha Bajraktari.
