Kombëtarja e vajzave njohu sot kundërshtaren në fazën play-off të Kampionatit Botëror “Brazil 2027”. Në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s, përfaqësuesja kuqezi u vendos përballë Uellsit në raundin e parë të play-off-it.
Një kombëtare kjo që njihet mjaft mirë nga vajzat kuqezi, për shkak se ishin së bashku në Grupin 1 në Ligën B të kualifikueseve të Botërorit. Mirëpo, nuk do të jetë aspak e lehtë, për shkak se Uellsi e mbylli në vendin e parë me 14 pikë pas 6 ndeshjesh.
Edhe në përballjet direkte, skuadra uellsiane ka triumfuar dy herë përballë Shqipërisë. Në ndeshjen e luajtur në Uells fitoi 4-0, ndërsa triumfoi me shifrat 0-1 edhe në Shqipëri.
Megjithatë, e shkuara nuk do të thotë shumë, pasi jemi mësuar që vajzat kuqezi të surprizojnë në fushën e lojës. Sfida e parë “play-off” do të luhet me 7 tetor, ndërsa e kthimit 6 ditë më vonë.
Kualifikimi në play-off përfaqëson një moment historik për Kombëtaren e vajzave, që për herë të parë në historinë e saj ka arritur në këtë fazë të një Kampionati Botëror, duke konfirmuar progresin e vazhdueshëm të futbollit të vajzave në vend.
