
Bota ka bërë gjithnjë apel për vendosjen e paqes në vendet e Ballkanit. Por 28 vite më parë, nuk mund të mendohej për paqe dhe tolerancë, por vetëm për luftë. Jugosllavia e rrënuar nga kriza ekonomike, nisis të shpërbëhej gradualisht. Regjimi ultranacionalist serb provokoi me të gjitha mënyrat konfliktet ndëretnike që morën përmasa të luftrave civile.
Dëshmitare e këtij realiteti u bë dhe futbolli. Në 13 maj 1990, ekipi kroat i Dinamos së Zagrebit priste në shtëpi Yllin e Kuq të Beogradit, njëra nga dy ekipet më të forta të Jugosllavisë. 2000 tifozë të Yllit të Kuq "Delije" kishin inskenuar bashkë me policinë lokale serbe të Zagrebit nisjen provokimeve dhe kaosit në stadium. Ata shkulën stolat dhe sulmuan tifozët kroatë, të cilët mbrojtën lojtarët e tyre dhe banderolat e ekipit. Policia arrestoi dhe dhunoi vetëm tifozët e Dinamos së Zagrebit dhe u la dorë të lirë serbëve.
Legjenda e Milanit dhe Kroacisë Zvonimir Boban, në atë kohë 21-vjeç kapiten i Dinamos goditi me shkelm një polic jugosllav që po sulmonte një tifoz kroat. Ai rrezikoi jetën dhe u kthye në simbolin e patriotizmit kroat. Ndeshja nuk u luajt asnjëherë, por ajo ka hyrë në histori si njëri prej "3 momenteve më dramatike në historinë e futbollit".
Në të dyja vendet "ndeshja e Maksimirit" njihet si "flaka që ndezi luftën". Një vit më vonë nisi konflikti në Kroaci që u përhap në të gjithë Jugosllavinë. Tifozë të të dyja klubeve morën pjesë në luftën midis Kroacisë dhe Jugosllavisë.Ultrasit e Dinamo Zagrebit kanë vendosur një përmendore për të gjithë tifozët e tyre që ranë në luftën 4-vjeçare.
"Për të gjithë vëllezërit tanë që ranë në luftën për pavarësi të Kroacisë", është epitafi në monumentin në hyrje të stadiumit "Maksimir" kushtuar ultrasve "Bad Blue Boys" (BBB) që u sakrifikuan për shtetin e ri kroat.