
Sot po lufton për mbijetesë, ndërsa vite më parë skuadra e Luftëtarit luftonte dhe ia dilte të mposhte edhe ekipet europiane që vinin në Shqipëri për "shëtitje". Ishte viti 1988 dhe në stadiumin "Qemal Stafa", trajneri Hito Hitaj kishte rreshtuar luftëtarët e tij përballë skuadrës së Slaviës së Sofies. Si në çdo sfidë, edhe ai takim do të mbarte emocione të shumta në një stadium të tejmbushur nga tifozët.
Asokohe futbolli bashkonte të madh e të vogël dhe çdo shqiptar ishte në impiantin kryeqytetas kur luheshin ndeshje ndërkombëtare. Ajo sfidë ishte e vlefshme për Kupën e Ballkan Ligës dhe skuadra gjirokastritet shihej si jofavorite. Megjithatë futbollistët në fushë ishin 11 kundër 11 dhe motivimi për të dalë "duarplot" nga Qemal Stafa ishte mjaft i madh.
Bullgarët u dukën që në fillim se e kishin marrë lehtë, mirëpo skuadra e Hitajt i vuri në vështirësi që në minutat e para. Brohoritjet dhe mbështetja për ekipin tonë ishte në lartësinë e duhur. Pjesa e parë dhuroi mjaft spektakël, por u mbyll me rrjeta të paprekura. Gjithçka ishte ruajtur për 45 minutat e dyta. Bluzinjtë e nisin mirë dhe në minutën e 55-të arrijnë të fitojnë një goditje dënimi në hyrje të zonës së miqve. Hysi merr përsipër ekzekutimin e saj. Gjuan në mënyrë mjeshtërore, por portieri i miqve bën mrekullinë duke e pritur. Aty gjendet i përhershmi Dhori Kalluçi që i vetëm me portën, s'e ka të vështirë ta çojë topin në rrjetë. Gëzimi është legjitim për gjirokastritët që nisin të rrisin dozën e sulmeve.
Ekipi i Sofies befasohet nga dëshira e shqiptarëve, por është tepër vonë për të reaguar. Pas disa sulmeve sistematike, Luftëtari arrin të fitojë një këndore. Në minutën e 73-të është Hysi sërish protagonist i cili kroson bukur nga këndorja. Mbrojtësit bullgarë dalin blof dhe topi shkon te Luan Seiti. Ai kthehet bukur dhe përballë portierit të Sofies, nuk gabon duke çuar dhe vulosur rezultatin 2-0. Ishin kohë të arta. Bluzinjtë luftonin në çdo front pavarësisht kundërshtarit që kishin përballë dhe në fund arrinin të krenonin çdo shqiptar me cilësitë që zotëronin në këmbët e tyre. /Newsport.al/