Këtë sezon, Flamurtari ka bërë që të harrohet kriza e madhe financiare e klubit duke dalë kundër çdo parashikimi në vendin e katërt në renditje me skuadrën e reduktuar nga largimet e merkatos së janarit për shkak të mosdhënies së pagave prej muajsh të tërë. Në ndeshjen ndaj Laçit ku pritej që kurbinasit të motivuar për të kapur Europën, vlonjatët ia dolën të dilnin fitimtarë me rezultatin 1-0 duke marrë duartrokitjet dhe mbështetjen e publikut vendas, respektin dhe dashurinë e të cilëve nuk është e lehtë ta fitosh.
Pas shumë vitesh, skuadra e Ilir Dajës i dha tonin e duhur ngjyrave kuqezi. Shpirti i sakrificës, dashuria për tifozët dhe kurajoja për të sfiduar edhe rreziqet më ekstreme e bënë këtë ekip që të fitojë në këtë sezon të kampionatit shqiptar "trofeun" e veçantë: respektin e çdokujt.
Ky sezon i vlonjatëve, i cili vjen në vazhdimësi të viteve të kaluara të ndërlikuara nga problemet e mëdha financiare revokoi një pjesë të shpirtit dhe karakterit të brezit të njohur të Flamurtarit të fundviteve '80- filimviteve '90. Në një kontekst tjetër kohor, kur vendi sapo kishte hyrë në fazën e parë të paqëndrueshme të demokracisë dhe largimit të dhjetëra mijëra njerëzve drejt emigrimit, në Shqipëri ekipet e kishin ende forcën dhe kurajon jo vetëm për të luajtur, por dhe për të luftuar për objektiva. Tranzicioni monizëm-demokraci në vitet '90-'91 e goditi fort dhe skuadrën vlonjate. Nëse këtë sezon lojtarët u detyruan të braktisnin Flamurtarin pasi nuk paguheshin prej muajsh të tërë nga klubi, në 1991 shumë futbollistë panë mundësinë reale për të nisur një kapitull të karrierës dhe një jetë të re jashtë kufijve.
Fati dhe koha nuk u treguan bujar me Flamurtarin e 1991-it, i cili pasi arriti më në fund të shpallej kampion i Shqipërisë, u detyrua të tkurrej nga largimet shumë titullarëve që në sezonin 1990-1991 dhe më para mbajtën peshën e skuadrës gjatë viteve që shkruan me krenari historinë e futbollit shqiptar dhe vlonjat në Europë.

Dhe pavarësisht stabilitetit të vështirë që po kalonte vendi dhe vështirësive për të riformatuar ekipin për sezonin e ri, Flamurtari duhej të merrte pjesë në Kupën Europiane (Champions League). Kundërshtari nuk ishte aspak komod për t'u përballur, por një ekip që në elitën e futbollit europian kishte zënë vend që në vitet '80-ë me 2 Kupa UEFA 1982 dhe 1987 dhe gjysmëfinale Champions League në 1986 (Barcelona i eliminoi me penallti) dhe 1993. Vështirësia rritej akoma më tepër në dëm të vlonjatëve, sepse gjysma e ekipit të Gottenborgut formonin kombëtaren e Suedisë që shkëlqeu në EURO 1992 dhe Botëror 1994 duke zënë dhe vendin e tretë në këtë të fundit.
Trajneri i Flamurtarit të asaj kohe, Edmon Liçaj arriti të formonte ekipin që do të synonte të mposhtte kampionët suedezë, të cilët ishin ngjitur lart në Europë. Largimet e Sokol Kushtës, Anesti Arapit, Alfred Ferkos, Vasil Ziut etj, ai arriti t'i plotësonte me djemtë e rinj të skuadrës vlonjate:Daut Naçon, Gjergji Demën, Erion Mëhillin, Bashkim Shaqirin, Elidon Lamerboshin, Viktor Daullen dhe Edmond Lutajn.
Ajo çfarë të habit nuk është rezultati final, por fakti që kjo përballje prej gati 30 vitesh nuk mori asnjë vëmendje në mediat shqiptare. Epopeja e ballafaqimeve me Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit nuk lanë vend për 2 betejat me Gottenborgun, e cila për habinë e të gjithëve përfundoi me elimimin e Flamurtarit me 2 barazime (0-0 dhe 1-1).
Për këtë ballafaqim jo pa histori, por me shumë kuriozitete, ish-futbollisti i Flamurtarit Rrapo Taho pranoi të fliste për "Newsport". Njëri prej mbrojtësve më të mirë të futbollit shqiptar, ikonë e Flamurtarit duke mos u ndarë prej tyre për asnjë çast në 13 vitet e karrierës si lojtar profesionist dhe "flamurmbajtësi" i shpirtit të qytetit bregdetar në futbollin shqiptar dhe të huaj pranon se ndaj Gottenborgut Flamurtari i habiti vetë suedezët në ballafaqimin e parë 0-0 duke dominuar lojën dhe sërish fati i detyroi të largoheshin nga gara nëse shtylla e Viktor Daulles në Vlorë do të shkonte në rrjetë.

-Pasi u shpallët kampion të Shqipërisë në vitin 1991 dhe mësuat shortin e Champions League që do të përballeshit me Gottenborgun, çfarë ndjesie patët? Sa informacion kishit për kundërshtarët tuaj?
Në kompeticionet europiane kishim krijuar një eksperiencë tëmirë para disa vitesh. Në lidhje me titullin kampion në 1991-shin, e kishim për detyrë titullin dhe erdhi si një lloj shlyerje borxhi ndaj tifozëve tanë, sepse dhe na kanë penalizuar vite më para kur sfidonim Partizanin, Dinamon apo Tiranën. Kur u shpallëm kampionë, e kemi ngritur titullin me gjysmën e ekipit, sepse në vitet '89, '90 dhe '91 pati eksod largimesh nga ekipi. U shkëput një pjesë e rëndësishme e bushtit: Kushta, Arapi, Ferko etj.
Por, edhe pse e nisëm sezonin e ri me shumë lojtarë të rinj të akademisë: Lamerboshin, Demën, etj e pëballuam shumë mië Gottenborgun, që në atë periudhë ishte nga skuadrat më të forta në Europë.
Sa i përket informacionit që kishim për ta, ne nuk kishim mundësi të mësonim për cilësitë, stilin e lojës, rreshtimin taktik, forcën dhe dobësinë e kundërshtarit nga video-t e qarkulluara, siç ndodh rëndom sot në futboll nëpërmjet internetit. Informacionin dhe dijeninë për ta e krijuam nga gazetat. Ata ishin skuadër me potencial të madh. Gjysma e ekipit të tyre përbënte kombëtaren e Suedisë, që disa vite më vonë shkoi në majat e futbollit europian dhe botëror.
-Nga dy ballafaqimet me Gottenborgun në 18 shtator 0-0 në Suedi dhe 1-1 në Vlorë në 2 tetor 1991, mund të na tregoni ndonjë detaj nga këto dy sfida? Çfarë loje zhvilluam? Çfarë na penalizoi që u eliminuam?
Patjetër. Në Gottenborg, Flamurtari ka luajtur shumë mirë. Dominuam në qarkullimin e topit, bile tifozët dhe gazetarët suedezë u habitën nga kjo gjë. Shkuam shumë herë drejt portës së tyre. Dhe në mbrojtje kemi luajtur saktë. Unë duhej të markoja sulmuesin e tyre Larsson. Dhe nuk e kam patur të lehtë në mbulimin ajror. Ai ështe i gjatë 1.92 m, kurse unë 1.82 m, por ia dolëm të mos i linim të shënonim.
Kurse në Vlorë, u eliminuam fatalisht. Atë që nuk e bënë dot atje në Suedi, e realizuan në Vlorë. Daullja, sulmuesi jonë përveçse shënoi golin për ne, goditi dhe shtyllën, që po të kthehej në gol, mund të ndryshonte drejtimin e ndeshjes.
Dua të tregoj dhe një detaj interesant pas ndeshjes së parë. 3 nga lojtarët tanë, lojtarë të formacionit titullar Edmond Lutaj, Bashkim Shaqiri dhe Gramoz Murati nuk u kthyen në Shqipëri, sepse kërkuan azil politik në Suedi. Ndodhi krejt papritur. Fakti që kur udhëtonim jashtë për ndeshjet ndërkombëtare dhe që nuk kishim më presionin e Sigurimit apo shtetit, e bënte më të lehtë për të kërkuar azil politik. Lutajn, Muratin dhe Shaqirin i kemi pritur 45 minuta dhe kur mësuam se çfarë kishte ndodhur jemi kthyer në Shqipëri. Trajneri jonë Edmond Liçaj u shqetësua shumë, sepse nuk dinte çfarë formacioni të bënte gati për ndeshjen e dytë. Por, ia doli të ndërtonte 11-shen bazë për sfidën e kthimit. Dhe jemi paraqitur shumë mirë, pavarësisht peripecive.
-Pas asaj aventure marramendëse në Kupën UEFA në vitet 1986-1988 kur u përballët 4 herë me Barcelonën me bilanc të fantastik (2 barazime, 1 fitore, 1 humbje) arritjen në 1/16 e UEFA-s në 1988, publiku vlonjat kur u eliminuat në raundin e parë në Champions League a mbeti i kënaqur, apo pati një lloj zhgënjimi nga ju?
Jo, përkundrazi. Ne na u larguan 6-7 lojtarë kryesorë atë periudhë. Publiku mbeti shumë i kënaqur nga ne. Nuk ka patur kurrë asnjë pakënaqësi ndaj nesh. Na kanë përkrahur gjithmonë.
-Doja të dija çfarë përshtypje u latë kundërshtarëve të Gottenborgut pas përfundimit të ndeshjeve? A keni ruajtur ndonjë fanellë të tyre?
Kjo ka qenë e pamundur të ndodhte. Në atë kohë, nuk lejohej të këmbenim fanellat, sepse vetëm një të tillë kishim dhe nëse e dorëzonim, duhej të paguanim 10-fishin e asaj që kushtonte. Sot, kjo të duket çmenduri dhe anomali, por atëherë kështu funksiononte. Ne një fanellë mbanim dhe e lanim gjithmonë dhe e mbanim me kujdes.
-Ju jeni stërvitur nga trajnerë me emër jo vetëm të futbollit vlonjat, por dhe atij shqiptar si Bejkush Birçe, Agron Sula dhe Leonidha Çurri. Në 1991 dolët kampion me Edmond Liçajn. Çfarë stili loje preferonte ai? Çfarë kërkonte nga ju në fushë?
Mondi ka qenë trajner shumë i mirë. Futi te ekipi qarkullimin e topit. Kërkonte lojë shumë teknike-taktike. Loja jonë bazohej te dominimi në qarkullimin e topit dhe daljet e shpejta në sulm drejt portës kundërshtare.
-Dy vite më parë, Skënderbeu shënoi arritjen historike që një ekip shqiptar merrte pjesë për herë të parë në një fazë finale të një kompeticioni europian klubesh në Europa League. Në gjykimin e tij, kush peshojnë më shumë, arritjet e Skëndebeut apo të Flamurtarit tuaj?
Ajo kohë me sot ndryshon shumë. Futbolli në ato vite ka qenë më i hapur, më sulmues. Të gjithë kundërshtarët ishin të fortë. Atëherë në short mund të binin pretendentët për trofe, skuadrat më të forta të kontinentit: Marseille, Ajax, Benfica, Milan, Barcelona etj. Sot ke mundësi më të mira të shkosh në fazë finale, nëpërmjet ndeshjeve eliminatore, play-off apo nga eliminatoret e Champions League në fazë të grupeve të Europa League.
E dyta, themelore ishte forca e grupit dhe ndërtimi i ekipeve. Unë jam nostalgjik, por epiqendër ishte brezi i ri te çdo ekip dhe blerjet ishin të kufizuara. Presidentët nuk ndërhynin te përzgjedhja e lojtarëve. Ishte produkt bio që rritej dhe forcohej me kalimin e viteve. Për më tepër, Flamurtari dhe ekipe të tjera eksportonin lojtarë të tyre./Dario Velaj/.