Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

DOSSIER

DOSSIER/ Skënder Halili, kuptimi dhe simboli i TIRANËS në futboll

Shkruar nga NEWSPORT
DOSSIER/ Skënder Halili, kuptimi dhe simboli i TIRANËS në futboll

Diktatura komuniste ka lënë në kujtesën e shqiptarëve plagë të mëdha shpirtërore. Të izoluar totalisht nga pjesa tjetër  e botës regjimi, shqiptarët jetonin në një vend që ishte kthyer në një "burg" të madh, ku secili ishte i dënuar moralisht dhe fizikisht të mendonte ndryshe nga çfarë imponohej nga regjimi.

Futbolli ishte ndoshta mënyra e vetme tek të cilët shqiptarët gjenin sadopak ngushëllim dhe gëzim të zbehtë. Por në një vend, ku çdo gjë ishte nën radarin e aparatit shtetëror, edhe sporti u detyrua t'I bindej formulës staliniste.

Janë jo të pakta rastet kur sportistë të njohur në mbarë botën janë detyruar të vuajnë për shkak të kohës kur jetonin dhe vendit kur I përkisnin. Në Shqipëri, njëri prej historive më të dhimbshme është ai I karrierës të Mexhit Haxhiut, ish-mesfushori spektakolar i Flamurtarit, Partizanit dhe ekipit kombëtar. Por, torturimi dhe intoleranca e regjimit të Enver Hoxhës i mori jetën në moshë të re ikonës së futbollit shqiptar Skënder Halili.

Me emrin e tij lidhet ringjallja e Tiranës në kampionatin shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Nëse Gjermania krenohet me Franz Beckenbauerin dhe Italia me Franco Baresin, Shqipëria në atë kohë kishte një lojtar me parametra moderne. Halili ishte jo vetëm një qendërmbrojtës klasik, por "libero" (pozicion ku qendërmbrojtësi lëviz në mesfushë dhe organizon lojën). Një karakteristikë e rrallë dhe e pazakontë për pozicionin ku luante Halili ishte i aftë ekzekutonte roveshata (goditje stil gërshërë ose ndryshe biçikletë), i cili sot konsiderohet në mbarë botën si stili më spektakolar i shënimit të golit.

Halili ishte pjesë e brezit të parë që hodhën themelet e futbollit shqiptar me Panajot Panon, Bujar Hykën, Hasan Vocin e të tjerë. Dashurinë për futbollin, ai e zbuloi jashtë stadiumit: në rrugët e Tiranës, ku me bashkëmoshatarët e tij forconte aftësinë për të luajtur.

Ai I bashkohet ekipit të të rinjve "Puna" ku Xhavit Demneri e ndihmon të rritet si lojtar. Më pas, Myslym Alla i jep fanelën për të debutuar në kampionatin shqiptar në moshën 17-vjeçare. Brenda pak kohësh, Halili zë vend mes lojtarëve më të mirë të futbollit tonë dhe e ndihmon Tiranën (atë kohë 17 nëntori) të fitonte Kupën e 15-vjetorit të çlirimit në 1959. Në momentin më të mirë të jetës dhe karrierës, ai thirret ushtar dhe sipas rregullit të kohës dy ekipet e kontrolluara nga aparati shtetëror Dinamo dhe Partizani kishin të drejtën që të zgjidhnin futbollistët e thirrur për të kryer shërbimin ushtarak të kalonin te këto dy skuadra. Dinamo i vë syrin Halilit dhe e mban për dy vite (1959-1961). Edhe pse me një moshë fare të re, Halili provon se mund të mbështetesh te ai për të fituar trofe. Dinamo merr më të mirën prej tij dhe në 1960 shpallet kampion i Shqipërisë. "Blutë" e kishin pikë referimi në lojë Skënderin.

Por, një vit më vonë, kur ai ka marrë vëmendjen e publikut futbolldashës, Halili përfundon shërbimin e detyruar ushtarak. Kjo do të thoshte se ai mund të kthehej te Tirana, e cila e kishte në pronësi. Duke parë se rivalët bardheblu po merrnin pas atë që u takonte, frika se ata mund të ktheheshin në një skuadër të rrezikshme e shtyn Dinamon të ankohet te FSHF-ja për të mos lejuar kthimin te 17 nëntori të Halilit. I vendosur se zemra e tij i përket vetëm Tiranës, Halili refuzon të qëndrojë te Dinamo dhe FSHF-ja hakmerret ndaj tij duke e pezulluar për një vit nga aktitetet futbollistike. Dëshira për të mos u ndarë nga futbolli dhe 17 nëntori e mbajnë të karikuar Skënder Halilin dhe ai vazhdon të stërvitet me skuadrën për të qenë në formën e duhur për sezonin e ri. Nga ky moment, Tirana ndërtohet si skuadër elitare dhe pretendente për trofe. 3 vjet pas "kthimit në shtëpi" Halili bën skuadrën dhe tifozët bardheblu të festojnë titullin kampion të 1965. Tashmë skuadra është e uritur të fitojë dhe të shkruajë kapitullin e saj në futbollin shqiptar. Në 1966, askush nuk e hidhte poshtë 17 nëntorin teksa ishin në një nivel me Partizanin dhe Dinamon dhe tituli ishte çështje e tyre.

Gjatë këtyre viteve, Halili ka fituar vend dhe te ekipi kombëtar. Ai pati shansin e madh të debutante me Shqipërinë në një fazë kualifikuese të një kompeticioni ndërkombëtar për Europianin e 1964. Me Danimarkën ai luan ndeshjen e parë si kuqezi dhe me të merr fitoren e parë historike të Shqipërisë në arenën ndërkombtë 1-0. Deri në vitin 1965 ai aktivizohet rregullisht me kombëtaren.

Kthesa tragjike e jetës së tij, nga e cila nisi e vazhdoi rruga drejt vuajtjeve të pakursyera ndodhi në verën e vitit 1966. Pas shpalljes kampionë, 17 nëntori kishte të drejtën të konkuronte në Kupën Europiane (sot Champions League). Bardheblutë do të përballeshin në raundin e parë me norvegjezët Oslo 04. Në Durrës, ku ekipi ishte grumbulluar për përgatitjet për kompeticionin madhor të futbollit europian, Halili arrestohet në hotel "Durrësi". Më vonë zbardhet lajmi se ai ishte arrestuar për kontrabandë orësh, pas një person zbuloi emrin e tij. Halilit iu shtua dhe akuza e përdorimit të parave të huaja, ku në shtëpi iu gjetën 57 dollarë. Ai dënohet me 11 muaj burg. Fati i keq ndjek dhe skuadrën, e cila nuk lejohet të fluturojë në Norvegji për të zhvilluar takimin e parë me Oslo 04. Për rrjedhojë, UEFA i përjashton për dy  vite bardheblutë nga aktivitetet e futbollit europian. Më e keqja nuk mbaron këtu për Halilin. Për ta poshtëruar dhe sfilitur e torturuar fizikisht, ai dërgohet të punojë në minierën e kromit në Bulqizë, ku punon në kushte skllavëruese. Shëndeti i tij bie dhe në galeritë e kromit ai merr sëmundjen e rëndë, që e ndan nga jeta 16 vite më vonë.

Pasi del nga "ferri", ai përpiqe të rikthehet në futboll. Bën të gjitha përpjekjet fizike dhe sportive për të veshur sërish fanelën, por jo vetëm që nuk lejohet të luajë me Tiranën, por në kushte dëshpërimi nga injorimi që I bëhet dhe shëndeti I keq, ai I thotë lamtumirë futbollit në moshën 26-vjeçare.

Ai nuk ndahet përfundimisht futbolli dhe nis kapitullin e trajnimit. Halili kualifikohet si trajner dhe drejton ekipet zinxhir të 17 nëntorit. Me punën e bërë, ai shndërrohet në ikonën e Tiranës. Nga duart e tij dalin një pjesë e lojtarëve më të mirë të Tiranës si Krenar Alimehmeti, Florian Riza, Ilir Daja, Astrit Ramadani etj.

Halili gjen qetësinë e jetës së tij te Tirana, por trupi i tij dorëzohet nga dita në ditë. Krejt papritur në mbrëmjen e 13 dhjetorit të 1982, Skënder Halili vdes në moshën 41-vjeçare. Përveç familjarëve, që vuajnë humbjen e njeriut të zemrës edhe futbolli shqiptar vajton vdekjen e tij. Ai përcillet në banesën e fundit me një kortezh të gjatë, por dhe në momentin para se të pushojë me të vdekurit e tjerë në varreza, nuk lejohet asnjë lloj fjalimi për të. Ishte një sjellje sa skandaloze aq dhe çnjerëzore, ku dhe në fund ndaj tij nuk u tregua asnjë lloj dashamirësie dhe respekti.

Në kohën e demokracisë, Skënder Halili vlerësohet për të gjitha meritat. Ai merr statuset e "Mjeshtrit të madh", "Mjeshtrit të Sportit", "Mjeshtër të Merituar" dhe "Nderi i Sportit Shqiptar". Prej 30 vitesh, emri i tij flitet dhe kujtohet me respekt.

Në shenjë përuljeje, klubi i Tiranës e quan kompleksin e saj stërvitor "Skënder Halili". Emri dhe shpirti i tij prehet aty prej 19 vitesh.

Skënder Halilin nuk e bën të çmuar vetëm klasi si lojtar, as vetëm përkushtimi gjatë gjithë jetës së tij futbollit, por fuqia për t'i mbijetuar kohëve/NEWSPORT/.

(referuar gazetarit Bedri Alimehmeti)

Tags:

DOSSIER

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga