Sot skuadrat e kryeqytetit janë shndërruar në subjekte private, ndërsa dikur ishin ekipe që administroheshin nga qeveria në vend. Dinamo është një nga skuadrat shqiptare që ka bërë histori në kampionatin shqiptar. Plot 18 herë kampione e Shqipërisë, duke shënuar emrin dhe në pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Një dokument i veçantë është zbuluar nga Kastriot Dervishi pikërisht për sezonin futbollistik 1981-1982. Veç të tjerash, organizata bazë e partisë i urdhëronte lojtarët të lexonin veprën e Enver Hoxhës, “Kur lindi partia”. Nuk dihet sa i motivoi futbollistët kjo vepër në ndeshjen e parë të zhvilluar në Tiranë, sidomos ata kapitujt për melladinin, dushanin e luftën ndaj “Qorrit” dhe “Xhepit”.
Në planin e masave të organizuar nga partia e asokohe thuhej: “Për herë të parë klubi sportiv “Dinamo” merr pjesë në këtë aktivitet ndërkombëtar mjaft të rëndësishëm. Për këtë, organizata bazë e Partisë, klubi dhe kolektivi i futbollistëve e preokupon përfaqësimi me dinjitet në këtë aktivitet. Si objektiv do të luftojmë për të kaluar turin e parë, të bëjmë ndeshje dinjitoze dhe të fitojmë ndeshjen në TIranë. Për t’u përfaqësuar me dinjitet kemi marrë këto masa:
1. Me ekipin do të bëhet punë e organizuar ideo-politike dhe edukative.
- Do të punohen projektivat e planit të 7-të pesëvjeçar.
- Vepra e re e shokut Enver “Kur lindi Partia”.
- Shfrytëzimi i shtypit të përditshëm.
- Vizita në qendra pune, shfaqje artistike, kinematografike etj.
- Njohja e vazhdueshme me matieralet e Partisë për gjendjen në Kosovë”.
