Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

DOSSIER

DOSSIER/ Mjeshtri i madh Skënder Halili, “postblloku” i futbollit shqiptar që bëri për vete gjithë Europën (SI U BURGOS PËR NJË KARTMONEDHË)

Shkruar nga NEWSPORT
DOSSIER/ Mjeshtri i madh Skënder Halili, “postblloku” i

Nga Bedri Alimehmeti

Një ditë andej nga mesi i viteve 50-të, në fushën e “Punës”, aty ku përgatiste yjet e ardhshëm të futbollit tironas e shqiptar, mjeshtri i njohur i futbollit, profesor Xhavit Demneri. Përpara derës së asaj barakeje që shërbente si dhomë zhveshjeje, qëndronte një djalosh i hollë e i gjatë, jo më tepër se 14-15 vjeç. Gjithë ndrojtje në fytyrë, i thoshte profesorit se kishte dëshirë të luante futboll me skuadrën e të rinjve të “Punës së Tiranës”. Profesor Demnerit i tërhoqi vëmendjen shtatlartësia e djaloshit dhe pa e zgjatur i dha topin. Që në lëvizjet e para gjithçka ishte e qartë, te ai djalosh, ku krahas dëshirës dhe pasionit të madh, ishin harmoni të plotë dhe aftësia e talenti. Duhej vetëm stërvitje intensive për t’i ngjitur sa më shpejt shkallët e mjeshtërisë. Që në atë çast jam i sigurt që profesor Demneri e kishte ndjerë që futbollit shqiptar po i vinte një yll i vërtetë. Dhe syri i tij nuk gabonte kurrë.

Ky djalosh me emrin Skënder Halili, me shtatin e gjatë e të drejtë si lisat në malin e Dajtit, u bë një futbollist i shkëlqyer i 17 Nëntorit dhe i ekipit kombëtar. Pa mbushur ende 17 vjeç, vesh për herë të parë fanellën e 17 Nëntorit dhe veç shokëve më shumë nga të gjithë, do të gëzohej Ija e tij e dashur, që e priste aty në hajatin e vogël të asaj shtëpisë së ulët, në atë rrugicën e ngushtë te rruga “Fortuzi”. Ija e tij e shtrenjtë që me ato duart e rreshkura do ia lante me aq përkujdesje uniformën e skuadrës. Me një qendërmbrojtës të tillë, kollonë, postbllok të pakalueshëm, 17 Nëntori, skuadra e kryeqytetit tonë bashkë me Frashërin, Kasmin, Bukovikun, Ishkën, Gjokën, Saraçin, Xhaçkën, Memën, Bytyçin, Kazanxhiun, Hykën etj, nën drejtimin e trajnerit Myslym Alla do të shpaloste një kapitull të ri në historinë e futbollit tonë, do të linte gjurmë të pashlyeshme dhe do të bënte epokë.

Qendërmbrojtësin Halili të kombëtares sonë do ta admironin dhe do ta duartrokisnin tifozët e stadiumeve të Gllasgout, Belfasit, Bernes, Kopenhagenit, Roterdamit, Stambollit, Sofies, Bukureshtit, Moskës, etj. 17 Nëntori do të fillonte vargëzimin e titujve kampionë dhe pas takimeve në Kupën e Kampionëve me kampionen e Skocisë “Kilmarnook” (0-0 dhe 0-1) shtypi sportiv evropian do të shkruante: “Ja mbrojtja që i duhet Helenio Hereras (trajner i shquar brazilian) treshja e 17 Nëntorit të Tiranës, Halili, Frashëri, Kasmi. Po në natën e gjatë të terrorit komunist paradokset ishin të panumërt. Vetëm për një kartmonedhë të gjetur në xhep (siç qe rasti i Skënder Halilit) njerëzit kalbeshin në burg. Kështu ndodhi edhe me yllin e futbollit tonë. Dhimbjen e ndjenë jo vetëm të afërmit, por edhe tifozët e zjarrtë të Tironës dhe dashamirësit e admiruesit e futbollit të niveleve të larta evropiane.

Pas daljes nga burgu, mjeshtri Halili i gjeti të mbyllura përgjithmonë dyert e stadiumeve tona për të. Qe një përpjekje vërtetë e lavdërueshme e “Besëlidhjes së Lezhës” për të pasur Skënder Halilin në gjirin e saj, por edhe ajo pa sukses. E vetmja ndeshje e mirëfilltë e futbollit (ashtu siç deshte ai) qe ai takim miqësor stërvitor i ekipit tonë kombëtar dhe “Besëlidhjes së Lezhës”, në radhët e të cilit luajti edhe Halili. Dhe vetëm kaq për Skënder Halilin, ky takim qe lamtumira e fundit me stadiumet e fushat tona të futbollit. Këtej e mbrapa, ne do i gëzohemi atyre takimeve në kuadrin e kampionateve të qendrave të punës, ku ai do të luante në radhët e ndërmarrjes së riparim shërbimeve. 17 Nëntori ku ai punonte hekuraxhi, në një dyqan të vogël diku nga 21-shi, në të cilat Skënder Halili shpaloste vlerat e vërteta prej mjeshtri të madh.

Të tilla kanë ngel në kujtesën tonë imazhet e fundit për të, nëpër ato fusha të përbaltura, te “dibranët”, te “Ali Demi” apo te “Vasil Shanto”. Vetëm më vonë, madje shumë vonë me këmbënguljen e klubit 17 Nëntori atij do t’i jepej mundësia të përgatiste fëmijë futbollistë 10-12 vjeçare. Ishte e vetmja punë që i dha një kënaqësi të veçantë. Falë punës së tij pasionante e të lavdërueshme qëmtoi talente të vërteta si Ramadani, Alimehmeti, Riza ejt që luajtën në radhët e 17 Nëntorit të lavdishëm të viteve 80-të.

Tags:

DOSSIER

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga