Futbolli vazhdon të jetë sporti më i ndjekur dhe më i praktikuar në Shqipëri, sipas gjetjeve të raportit “UEFA Grow Market Research”, i realizuar nga UEFA në bashkëpunim me agjencinë prestigjioze Nielsen.
Studimi evidenton një rritje të ndjeshme të interesit për futbollin në vend gjatë viteve të fundit. Nëse në vitin 2016, 65% e shqiptarëve deklaronin se ndiqnin futbollin, sot kjo shifër ka arritur në 78%, duke e renditur Shqipërinë në krye të Europës për interesin ndaj këtij sporti dhe dukshëm mbi mesataren europiane prej 48%.
Futbolli mbetet sporti më i ndjekur si nga meshkujt ashtu edhe nga vajzat. Interesi i meshkujve arrin në 91%, ndërsa ai i vajzave është rritur ndjeshëm nga 42% në vitin 2016 në 65% aktualisht. Rritje është regjistruar në të gjitha grupmoshat, me grupin 45-54 vjeç që ka shënuar progresin më të madh.
Raporti tregon gjithashtu se mbi katër në dhjetë shqiptarë janë shumë të apasionuar pas futbollit, ndërsa shtatë në dhjetë e konsiderojnë veten tifozë të këtij sporti. Arsyet kryesore që i afrojnë shqiptarët me futbollin janë cilësia e lojës, koha e kaluar me familjen dhe miqtë, si edhe atmosfera që ofrojnë stadiumet.
Përveçse sporti më i ndjekur, futbolli është edhe aktiviteti sportiv më i praktikuar nga të rriturit. Pjesëmarrja në futboll është rritur ndjeshëm nga 18% në vitin 2016 në 34% aktualisht. Sipas studimit, tre në pesë shqiptarë kanë luajtur futboll të paktën një herë gjatë jetës së tyre.
Shumica e futbollistëve amatorë zgjedhin ta praktikojnë sportin në mënyrë joformale, me miq dhe në komunitet, ndërsa përfitimet fizike dhe emocionale mbeten motivet kryesore që i mbajnë të lidhur me lojën.
Të dhënat e raportit konfirmojnë ndikimin pozitiv të investimeve të Federatës së Futbollit në zhvillimin e sportit, përmes projekteve të masivizimit, përmirësimit të infrastrukturës dhe zgjerimit të mundësive për të luajtur futboll në të gjithë vendin.
Me një perceptim pozitiv prej 7.5 pikësh, futbolli vazhdon të jetë sporti me imazhin më të mirë në Shqipëri, duke ruajtur një diferencë të konsiderueshme ndaj çdo sporti tjetër.
