Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

SHRF Tiranë organizon me sukses edicionin e parë të turneut të futsallit për vajzat U-13 dhe U-16

Shkruar nga NEWSPORT
SHRF Tiranë organizon me sukses edicionin e parë të turneut
Turneu i Futsallit

SHRF Tiranë zhvilloi me sukses edicionin e parë të turneut “Futsall”, një aktivitet i dedikuar tërësisht vajzave të reja që praktikojnë futbollin. Për tre ditë me radhë, vajzat e kryeqytetit u bënë pjesë e një atmosfere sportive dhe argëtuese, duke përfaqësuar ekipet e tyre në një turne që promovoi talentin, bashkëpunimin dhe pasionin për lojën e bukur të futbollit.

Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 110 vajza, të ndara në 4 ekipe të kategorisë U-13 dhe 4 ekipe të kategorisë U-16. Turneu nisi të mërkurën dhe u mbyll të premten pasdite në fushën e Parkut Olimpik.

Në finalen e kategorisë U-13, skuadra e EMV Rinia u shpall kampione pas fitores 12-4 ndaj Lapraka Sport. Ndërkohë, në finalen e U-16, vajzat e Dajtit dominuan përballjen finale, duke triumfuar me rezultatin 12-0 ndaj Spartakut dhe duke ngritur trofeun e kampioneve.

Pas përfundimit të ndeshjeve finale u zhvillua ceremonia e ndarjes së trofeve dhe medaljeve. Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, së bashku me kryetarin e SHRF Tiranë, Krenar Alimehmeti, vlerësuan ekipet pjesëmarrëse në këtë turne dhe u dorëzuan trofetë e medaljet skuadrave fituese.

Organizimi i këtij turneu përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në promovimin e futsallit dhe futbollit të vajzave, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e talenteve të reja, rritjen e cilësisë sportive dhe ndërtimin e një mjedisi gjithëpërfshirës ku vajzat mund të argëtohen, të mësojnë dhe të ndërveprojnë përmes futbollit.

Poll

Lexo gjithashtu