
Shumë prej djemve dhe vajzave që frekuentojnë stadiumet në Shqipëri i ka rënë rasti të dëgjojnë shprehje “folklorike” nga më spektakolaret. Disa prej tyre madje, influencohen aq shumë nga këto “perla” spontane sa nisin e i përdorin edhe në dialogjet e jetës së përditshme: në shkollë, punë e palestër. Sa herë ju ka rastisur t’i thoni vëllait apo shokut të ngushtë “Ik, ik, ik” pasi e keni “degjeneruar” në një sfidë në Play Station? Thirrje e cila origjinën e ka nga një tribunë tifozësh.
Futbolli dhe pasioni që e rrethon, depërton shumë kollaj në jetën sociale dhe fjalori që përdoret në të fare thjesht në kulturën popullore. Ja disa prej thirrjeve e shprehjeve “klasike” që na vijnë nga tribunat tona:
Çohu tribuna – E vjetër po aq sa tifozeria ose të paktën që prej kohës kur stadiumet tona janë pajisur me tribuna. Zakonisht nis e përdoret kur skuadra është në avantazh dhe pjesa “përkarshi”, për ta shtuar akoma më tepër dozën e kënaqësisë, kërkon edhe mbështetjen e tifozëve të ulur në tribunë, të cilët janë kryesisht familjarë ose njerëz më të përmbajtur në të bërit tifozllëk.
Iku iku treni – Romantike, por tashmë e dalë jashtë mode. Sistemi hekurudhor shqiptar thuajse nuk ekziston, ndaj është e pavend t’u thërrasësh kundërshtarëve (të cilët lënë stadiumin para kohe, duke qenë se skuadra e tyre po mundet) “iku iku treni”. Do të të përgjigjen “Kemi ardhur me autobus”.
A ke nai gazetë më? – Pyetje e cila dëgjohet shpesh përpara fillimit të ndeshjes. Nuk është etja për informacion, por dëshira për të mos bërë “zhul” pantallonat ose tutat që i shtyn tifozët t’ia bëjnë këtë pyetje njëritjetrit. Mjafton një faqe gazetë për t’u mbrojtur nga pluhuri, dy nëse kërkon edhe të mbështetesh në stola.
S’ta lejnë pa tapë – Masat e rrepta të sigurisë zbatohen vetëm te shishet e vogla të ujit. Më mirë të kishe pirë përpara se të vije në stadium. Te dera e stadiumit s’të lejojnë të kalosh pa e hequr tapën dhe ti kur kthehesh për në stolin tënd i thua të tjerëve në shenjë solidariteti: “S’ta lejnë pa tapë”…
Është e lonme – Ose “është e lënë”. Term që i rezervohet kryesisht atyre takimeve kur skuadra mundet. Sikur s’ndodh ndonjëherë. Përdoret më tepër për të gënjyer veten edhe pse heraherës është e vërtetë.
Motra arbitrit – Është lojtari i 23të në fushën e lojës. Shumë herë bëhet edhe “ylli” (në këtë rast yllka) i ndeshjes. Aq shumë e aq fort thërritet nga të dyja tifozeritë sa mund të konsiderohet një xhol (term që në lojën me lagje i referohej lojtarit i cili luante me të dyja skuadrat pa patur të drejtën të shënojë gol në asnjërën prej tyre).
Fara t’pjekme, hajde fara – Gra të moshuara ose fëmijë fare të vegjël që mundohen të fitojnë jetesën duke shitur fara të zeza. Dikush i trajton mirë e dikush me fjalor banal: disa prej grave që ushtrojnë këtë profesion kanë mësuar më tepër për seksin në stadiume sesa gjatë vizitave në konsultore.
NGA ANDI KASMI