
Dje (të enjten), kishim ditëlindjen e Fre-së. Dje u bëmë tapë të gjithë nga dollitë "për kokë të atij apo atij". Të gjitha këto të imponuara nga Fre-ja. Nuk linte askënd pa përmendur. I donte të gjithë të ishin prezent në tavolinë. Deri tek Lalush Kakaci apo Vironi i Dritës. I donte të gjithë se ata e mbanin gjallë. Donte të qeshte. Të gajasej. Të qeshte. Vetëm të qeshte. I donte të gjithë të ishin aty. Fizikisht ose me dolli. Mjafton që, sapo t'i shihte ose të kujtohej se ishin apo nuk ishin aty nuk kishte rëndësi. I donte ditëlindja e tij. Të gjithë. Nga Durrësi. Elbasani. Shkodra. Tirana. Gazetarë. Sportistë.
Nga Vlora të ardhur në Tiranë. Nga Vlora-Vlora. Tifozë. Sportistë. Kafexhinj. Pije-dashës. Politikanë (le të ishin dhe ata). Të gjithë. Donte të dehej me ata. Ishte ditëlindja e tij. Harrova një detaj. Donte edhe poetët. Piktorët. Artistët. Donte Dorin. Teodor Kekon. Të dëgjonte poezitë e Dorit të Vogel teksa i recitonte vargje. Donte ta dehte. Donte të dehej me të. Donte ta shikonte kur kërcente nga gëzimi bashke me të mbi tavolina ne ditëlindjen e "xhentilit-qejfmosprishurit-alegro" Fre.
I donte të gjithë Fre-ja aty. Në ditëlindjen e tij. Donte ta zbardhte me ata agimin. Ta trembte natën me të bërtitura. Me shfrenime. Qejfi i tij të vinte policia nga shqetësimi i banorëve përreth. Po gëzon Fre-ja. Jo shaka. Ta marrë vesh i madh e i vogël. Ai që kur gëzon (ritual ndoshta çdo ditë), e merr vesh gjithë dynjaja. Ky ishte fiksim i tij. Imagjino kur i vinin shokët. Shokët. Ata që falë tyre dhe energjisë që ju dedikoi i kishte gjithmonë pranë. Sapo shkelnin në Tiranë "brraf" zile e telefonit: "Fre, erdhëm. Ku je?". Edhe ata ishin aty. Duke pritur agimin e diellit. Me Fre-në. Të gjithë. Niku Cipi. Kol Kushta.
Petrua. Latua. Rrapua. Fre-ja tjetër, Ferkua. Vasili. Të gjithë me radhë. Aty, deri në mëngjes. Deri kur festohen ditëlindjet e njerëzve që i duan të gjithë. Te ishin aty. Kjo ishte ditëlindja-ëndërr e tij. Shënim: Përvjetori i tij i 40-të u festua deri ne agim. Fredi si gjithmonë Fredi në fund të ditëlindjes në orën 06.00 të mëngjesit. I fton të gjithë ata që i rezistuan "batareve" me dolli për të ngrënë një pjatë fasule. Ditëlindja e tij e 53-të, 13 vjet më pas u festua në heshtje, një ditë para ndarjes nga jeta.
Shënim: Shkrimi i mësipërm është botuar në 10 shkurt të vitit 2013 nga Eno Cacaj në kujtim të ish-mikut të tij, Alfred Zijai.
- Kush ishte Alfred Zijai?
Alfred Zijai ka qenë një ndër futbollistët më të mëdhenj të viteve 1980. Ai ka luajtur me skuadrën e qyteti të tij të lindjes Flamurtarin. Karriera e tij sportive ka nisur që prej vitit 1979 e deri në vitin 1991. Flamurtari e ka fituar vetëm një herë titullin kampion, pikërisht në sezonin 1990-1991, kur në pankinë ishte trajner Edmond Liçaj.
Një nga protagonistët e atij sezoni të paharruar ishte dhe Alfred Zijai, si bashku me futbollistët si Viron Daullja, Elidon Lameborshi, Alfred Zijai, Sokol Kushta, Agim Bubeqi, Gjergji Dema, Erion Mehilli, Gezim Muka, Roland Iljadhi, Luan Birçe, Eqerem Memushi, Rrapo Taho, Viktor Daullja, Latif Gjondeda, Anesti Arapi, Kreshnik Çipi, Bashkim Shaqiri, Ardian Ciruna, Edmond Lutaj, Anesti Vito, Tajar Arapi, Roland Muka, Vasillaq Ziu, Dritan Sadedini, Viktor Paço dhe Gramoz Murati.
Alfred Zijai ka dalë dhe katër herë nën kampion i Shqipërisë, pikërisht në sezonet: 1981-1982, 1985-1986, 1986-1987 dhe 1987-88. Me Flamurtarin, Fredi fitoi edhe dy herë Kupën e Shqipërisë: 1984-1985 dhe 1987-1988, ndërkohë që ka humbur pesë herë në finale" 1982-1983, 1983- 1984, 1986-1987, 1989-1990, 1990-1991. Ish-mesfushori i talentuar i vlonjatëve ka luajtur tri ndeshje me Kombëtaren shqiptare. Pas viteve 2000 ishte një nga njerëzit më realistë në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Sot, 5 vite nga largimi i tij parakohshëm, newsport.al kujton legjendën e futbollit vlonjat. Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm!