Nëse do të llogarisnim vetëm 8 javët e fundit në kampionat, padyshim Tirana me trajnerin Orges Shehin në stol do të krahasohej me Barcelonën në Spanjë dhe Bayernin në Gjermani.
Normalisht, këto nuk janë thjesht krahasime në teori, por edhe në praktikë, pasi bardheblutë me fitoren e marrë në stadiumin “Selman Stërmasi” përballë Vllaznisë me rezultatin minimal 1-0 kanë koleksionuar tri pikët e radhës në misionin e tyre për të mbijetuar, çfarë do të thotë se kjo skuadër, ndryshe nga objektivat për të cilat po lufton, po tregon një nivel shumë të lartë loje dhe një forcë që i mungonte prej kohësh.
Plot 6 fitore dhe 2 barazime në 8 ndeshje janë tregues që flasin për një Tiranë të cilën askush nuk do ta besonte se në këto momente do të bënte çdo përpjekje të mundshme për t’i shpëtuar rënies katastrofale nga kategoria.
Po ashtu, Tirana e trajnerit durrsak nuk përfill as emrat si Paris Saint-Germain, Interi dhe Arsenali, kur vjen puna për produktivitetin në nivel pikësh. Paska paradoksale dhe e vështirë për t’u përtypur nga mendjet e atyre që e shohin futbollin si një sport ekstrem, e ndonjëherë ai i çudirave.
Por Tirana di të tregojë karakter, sidomos në çastet më të vështira dhe se fjala dorëzim është koncept i ndaluar për sa kohë “djemtë” bardheblu e kanë të qartë në kokën e tyre se emri “Tirona” flet për identitetin dhe historinë. Ndoshta nuk do t’i afrohet kurrë niveleve të skuadrave të lartpërmendura, por nëse do t’i referohemi shprehjes: T’i japim Çezarit, realisht atë se çfarë i takon Çezarit, padyshim, Tirana meriton jo vetëm qëndrimin, por dhe kthimin drejt lavdisë së munguar.
