Komisioni i Etikës dhe Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ka bërë të ditur vendimet që lidhen me javën e fundit futbollistike në vend. Këto vendime lidhen me Superioren, Kategorinë e parë dhe të Dytë e deri tek futbolli i moshave.
Kështu, dhuna mes tifozëve para Elbasani-Tirana nuk është toleruar aspak. Klubi organizator, Elbasani është gjobitur me 500 mijë lekë të reja dhe do të luajë dy ndeshje pa tifozë në “Elbasan Arena”.
Në krahun tjetër, Tirana është gjobitur me 300 mijë lekë të reja, ndërsa do të luajë dy ndeshjet e radhës pa tifozë. Por nuk ka shpëtuar as Sopoti, të cilët janë gjobitur po me 300 mijë lekë, për shkak të sjelljes së tifozëve.
VENDIMET:
1. AF Elbasani, për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë, si dhe me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e spektatorëve në stadiumin përkatës. Zbatimi i masës disiplinore për zhvillimin e ndeshjeve pa spektatorë do të fillojë në sezonin sportiv 2026–2027.
2. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shfaqur me hyrje të paautorizuar në fushën e lojës, hedhje sendesh në fushën e lojës, si dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë, si dhe me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e spektatorëve në stadiumin përkatës.
3. KF Sopoti, për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, si dhe përdorim të koreve fyese, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/e të KDE-së, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/b të KDE-së, gjoba reduktohet në masën 20%.
4. Zyrtari i KF Bylis, Arbër Sino, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
5. Çeljen e hetimit disiplinor ne lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen FK Partizani U-18 kunder KF Tirana U-18.
6. Rrëzimin e kërkesës së FK Kukësi lidhur me pretendimin për aktivizimin e lojtarëve që nuk kanë të drejtë të luajnë, si të pabazuar në dispozitat e Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dhe Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.
