Pogradeci do të përballet më 16 maj në transfertë ndaj Teutës, në ndeshjen e vlefshme për “play-out” e “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, do të nisë prej orës 16:00.
Një sfidë në të cilën Teuta vjen paksa më e favorizuar, vetëm për shkak se vjen nga Superiorja. Megjithatë, Pogradeci në krahun tjetër ka treguar që mund të mposhtë çdo kundërshtar që i del përpara, pasi edhe në sezonin që lamë pas, e tregoi forcën përballë ekipeve “big” si Laçi dhe Skënderbeu.
“Arma” shtesë që do të kenë liqenorët në këtë sfidë, do të jetë trajneri Emiljano Çela. Ky i fundit e ka sfiduar Teutën edhe më herët, kur ka qenë në drejtimin e Kastriotit dhe Kukësit.
Në 7 ndeshje që Çela është përballur me durrsakët, ka fituar 3, barazuar 1 dhe humbur 3. Pra, tekniku 40-vjeçar e di se si mund të mposhten “Djemtë e Detit”, duke qenë një përforcim i shtuar në radhës e Pogradecit për ndeshjen vendimtare drejt misionit Superiore.
