Java e 36-të në “Abissnet Superiore” konkludoi verdiktet e fundit të edicionit të rregullt të kampionatit shqiptar, ku “fronti” i vetëm i hapur ishte ai për mbijetesën.
Në përmbyllje të kësaj “maratone”, është përzgjedhur dhe 11-shja më e mirë e kësaj jave, si dhe trajneri më i mirë.
Visar Bekaj (Tirana) – Vetëm 1 gol i pësuar përballë Elbasanit në ndeshjen e fituar në transfertë. Në pjesën më të madhe, i vëmendshëm dhe gati për ndërhyrje “shpëtimtare”. Kjo është hera e dytë që portieri i Kosovës “fikson” vendin e tij në këtë 11-she, duke bërë që rivalët e tij të lihen në hije.
Paulo Buxhelaj (Partizani) – Mbrojtësi i të kuqve nuk gabon në testin e fundit të kampionatit përballë Dinamos në derbin e kryeqytetit. Përveç kontributit në linjën e mbrojtjes, bëhet protagonist dhe në asistin e dhënë.
Blerim Kotobelli (Teuta) – Një fitore e vështirë e arritur në “Niko Dovana” përballë Egnatias, por që nuk mjaftoi për të shmangur “play-out”-in. Në këtë sfidë, Kotobelli bëri maksimumin duke shpëtuar shpesh herë skuadrën e tij nga aksionet e rrezikshme të rrogozhinasve.
Gledjan Pusi (Vllaznia) – Vllaznia e mbylli me rezultat pozitiv ndeshjen e fundit të luajtur përballë Flamurtarit. Një paraqitje e denjë për mbrojtësin që sigurohet të kryejë detyrat në lartësinë e duhur dhe të bashkëpunojë në mënyrë rigoroze për të mbajtur portën e paprekur.
Rimal Haxhiu (Tirana) – Kur duhet goli i sigurisë, mjafton të jetë në zonë dhe gjasat që të gabojë janë të rralla. I vëmendshëm në aksionin model të bardhebluve duke përfituar nga pasimi i Ndong, dhe me të djathtën mposht portierin e Elbasanit.
Serge Tabekou (Tirana) – Një mesfushor në rolin e tij, por edhe kur del jashtë zonës së “komfortit” bëhet i pamëshirshëm. Shënon golin e tretë në shtesë.
Patrik Myslovic (Tirana) – Një mesfushor që i beson instikteve dhe shpalos të gjitha aftësitë për të “nuhatur” golin. Shënon të parin e sfidës ndaj Elbasanit, moment që i hapi rrugë fitores bindëse të kryeqytetasve.
Dario Daka (Vora) – Realizoi një prej golave të fitores 5-2 ndaj Bylisit. Goli i tij fillimisht anullohet për pozicion të parregullt, por sistemi VAR ndryshon vendimin e kryesorit dhe “çliron” mesfushorin.
Aris Ara (Vllaznia) – Vetëm 19 vjeç dhe "kërcënim" serioz për mbrojtjet e kundërshtarëve. Goli i parë mban firmën e tij dhe shërben si tregues që tek shkodranët po vjen një element shumë premtues.
Klejdi Daci (Teuta) - Autori i dy golave në fitoren përballë rrogozhinasve. Edhe pse Teuta përfundoi në play-out, fakti që në sulm kanë një sulmues të këtij kalibri, mund të përbëjë shkak për një qëndrim hipotetik në Superiore.
Albers Keko (Partizani) - Ka vuajtur shumë nga dëmtimet, por nëse futet në fushën e lojës në 100 për qind të formës, padyshim që ka fuqinë "magnetike" për të shkuar tek goli. Shënon të dytin në fitoren 2-1 ndaj Dinamos.
Për herë të dytë radhazi, Orges Shehi është i përzgjedhuri si trajneri më i mirë i javës. Puna e shkëlqyer dhe taktikat e mirëmenduara prodhuan rezultatet e pritshme të cilat i siguruan Tiranës mbijetesën. Nëse do të kishte një fjalë që do ta përshkruante do të ishte “ëngjëlli” i shpëtimit.
