
Orges Shehi u shkarkua nga posti i trajnerit të Partizanit pas një bisedimi me drejtuesit e klubit dhe presidentin Gaz Demi. Ky vendim vjen si pasojë e rezultateve negative të skuadrës në muajt e fundit ku nuk arritën te fitorja e titullit si dhe dështimi në kualifikueset europiane.
Shehi mbyll kështu aventurën e tij prej gati 8 muajsh në drejtim të të kuqve. Tekniku durrsak regjistroi 27 ndeshje në pankinën e kuqe duke marrë 13 fitore, 6 barazime dhe 8 humbje që i sollën 45 pikë gjithsej, mesatarisht 1.67 pikë për ndeshje dhe asnjë trofe të fituar.
Sipas statistikave, aventura e tij e dytë në kryeqytet rezulton më negative se e para me Tiranën. Në krye të bardhebluve, 46-vjeçari regjistroi 120 ndeshje, 64 fitore, 24 barazime dhe 30 humbje që i dhanë atij 222 pikë me një mesatare më të lartë, 1.87 pikë për ndeshje. Mbi të gjitha, me Tiranën ai ia doli të ngrinte lart 3 trofe, 1 titull kampion dhe 2 Superkupa.
View this post on Instagram