
Partizani ka nisur prej ditësh punën për të përforcuar ekipin gjatë kësaj merkatoje. Një nga repartet që kërkon doemos afrime është sulmi.
Reparti i avancuar ka pësuar më shumë ndryshime në 6 muajt e fundit, pasi u larguan liderët e sulmit në merkaton e janarit. Ndryshime që i vuajti ekipi i kuq, i cili tashmë synon të transferojë lojtarë që sigurojnë gola.
Pasi “Demat” dështuan me transferimin e Florenc Farrukut, janë hedhur në “aksion” dhe kanë gjetur një tjetër sulmues. Bëhet fjalë për Ismet Sinani, i cili luajti në këtë sezon me Clodiense në Itali në Serie C.
Shqiptari shihet me mjaft kualitet nga të kuqtë, të cilët janë shumë afër transferimit të tij. 26-vjeçari në të kaluarën ka qenë pjesë e Milan në Serie A, ku ka dalë nga akademia e kuqezinjve. Karriera e tij në fakt është e gjitha në Itali për disa ekipe, që kanë milituar në kategori të ndryshme.
Këtë sezon me Clodiense ka luajtur në 37 ndeshje dhe ka mundur të shënojë 5 gola. Gjithashtu ka asistuar edhe në 2 raste. Kontrata me italianët i përfundon në fund të qershorit dhe drejtuesit e kuq synojnë ta transferojnë me parametra 0.