
Tifozët e Kroacisë e kishin paralajmëruar në rrjetin social “Facebook” se do të hidhin fishekzjarre në fushë gjatë ndeshjes me Çekinë. Pas lajmeve se ata shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj Federatës Kroate të Futbollit, vjen një detaj interesant. Ata e kishin bërë të ditur me anë të “Facebook”-ut se do të hidhnin sende plasëse. Kështu shkruan shtypi kroat pas ngjarjes së shëmtuar të ditës së premte. Në profile të ndryshme, tifozë të grupeve “BBB” dhe “Torcida”, tifozët fanatikë të Dinamos së Zagrebit dhe Hajdukut, kishin paralajmëruar se do ta ndërprisnin ndeshjen me Çekinë, siç ndodhi realisht. Kroacia është në pritje të një vendimi zyrtar nga UEFA, që duket se ka vendosur vetëm për gjobë të majme. Në foto duket qartë skenari i tifozëve kroatë, që kishin menduar gjithçka në detaj për veprimin e tyre në stadiumin e Sent Etienit.