Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

PERSONAZHI I VITIT/ Nga kreu i FSHF-së Armand Duka te “makthi” i serbëve Rey Manaj, trajnerët Sylvinho & Tetova e deri te Uldedaj, Calja dhe Colturi. NEWSPORT hap sondazhin!

Shkruar nga NEWSPORT
PERSONAZHI I VITIT/ Nga kreu i FSHF-së Armand Duka te “makthi”
Fotomontazh/ Kandidatët për "Personazhi i Vitit" në Newsport Albania

Dalëngadalë po mbyllim një vit kalendarik të mbushur me ngjarje që në një mënyrë ose një tjetër kanë ndikuar në përditshmëritë tona. Newsport.al ka nisur sondazhin për personazhin e vitit. Ata janë njerëz që kanë lënë gjurmët e veta përmes arritjeve dhe ndikimit të tyre në shoqërinë shqiptare. Emocionet nuk kanë munguar duke krijuar tablonë e këtij viti kalendarik. Newsport.al ka zgjedhur të gjithë ata që spikatën dhe shënjuan emrat e tyre në këtë 2025-së që po “soset” dalëngadalë.

Kjo tablo nis padyshim me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kreu i FSHF-së ishte “koka” e investimeve në futbollin shqiptar, ndërkohë që ia doli që të organizonte mbledhjen historike të Komitetit Ekzektuiv të UEFA-s në Tiranë. Presidenti Duka ishte gjithashtu ai i cili i dha një “dorë” Kombëtares në kualifikimin drejt “play-off”, duke besuar ende deri në pjesëmarrjen historike në Botërorin 2026 e "çuar peshë" zemrat e shqiptarëve. 

Një vend të rëndësishëm zë pikërisht “timonieri” i ekipit tonë kuqezi, Sylvinho Campos. Braziliani ka krijuar një grup lojtarësh të cilët japin shpirtin në fushë. Sigurisht fitorja historike përballë Serbisë në Leskovc ishte “madhore”, por edhe kualifikimi në “play-off”, aty ku Shqipëria e Sylvinhos do të përballet me Poloninë.

Duket mbetur te ndeshja me Serbinë, s’kishte si të mungonte protagonisti kryesor, Rey Manaj. Ky i fundit bëri të mundur që të festonin zemrat e miliona shqiptarëve anëmbanë botës, duke marrë një fitore në Leskovc, e cila përveç 3 pikëve, mbart në vetvete një të shkuar plot histori, vuajtje, dëshmorë dhe dhimbje.

I katërti në këtë listë, por jo më pak i rëndësishëm është trajneri i Egnatias, Edlir Tetova. Ai ia doli që për të dytin vit radhazi të shpallej kampion së bashku me “djemtë” e tij të ekipit rrogozhinas. Një Egnatia, që në drejtimin e Tetovës kanë qenë një “aset” i çmuar brenda kufijve, por edhe me disa paraqitje pozitive në kupat evropiane.

Briken Calja është kandidati i pestë në sondazhin “Personazhi i Vitit". Gjatë vitit 2025 ai shkëlqeu në Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes, ku fitoi tre medalje të arta në kategorinë deri në 79 kg dhe vendosi tre rekorde të reja ballkanike në ngarkesë, shtytje dhe dygarësh, me një total prej 335 kg të ngritur.

Duke mbetur te sporti i peshëngritjes, s’mund të lëmë pa futur në listë edhe taleneten, Enkileda Carja. Gjatë vitit 2025 ajo ka shkëlqyer në peshëngritje, duke u shpallur kampione bote e trefishtë për U-17 në Lima, ku fitoi tre medalje të arta dhe vendosi tri rekorde europiane në shkëputje, shtytje dhe totali të ngritur, si dhe mori një medalje bronzi në U-20. Po ashtu, në Kampionatin Evropian të zhvilluar në Durrës ajo fitoi 3 medalje të arta dhe vendosi rekorde europiane e botërore në kategorinë 63 kg.

Jurgen Uldedaj është i 7-ti në listë. Ai shkroi historinë e boksit shqiptar duke u shpallur kampion bote në peshën cruiserëeight në versionin IBO, pas fitores ndaj kampionit kamerunas Rolly Lambert Fogoum në “O₂ Arena” të Londrës, duke u bërë boksieri i parë shqiptar me një titull botëror në boksin profesionist.

Nga boksi kalojmë në ski, aty ku Lara Colturi, ka shkëlqyer në pistat e akullta gjatë vitit 2025, duke arritur disa podiume të rëndësishme në Kupën e Botës Alpine dhe duke ngritur lart emrin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare të këtij sporti. Gjatë sezonit ajo u rendit e dyta dhe e treta në gara të ndryshme të Kupës së Botës dhe arriti të ngjitet disa herë në podium nën flamurin kuqezi.

Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, kandidatët e fundit në listën e “Personazhit të Vitit”, u dalluan si dy nga sportistët më të suksesshëm të mundjes shqiptare. Valiev shkëlqeu në vitin 2025 me titullin kampion evropian dhe rezultate të forta në arenën ndërkombëtare. Dudaev, po ashtu, vazhdoi serinë e fitoreve me medalje të arta në turne të mëdhenj dhe paraqitje të shkëlqyera pas suksesit olimpik.

Poll

Lexo gjithashtu