
Në vitin 1906 në Shkodër, pranë Kolegjit Saverian, erdhi si dhuratë një top futbolli. Dhuruesi u mësoi nxënësve edhe disa rregulla të lojës së top-këmbës. Ky moment konsiderohet si nisja e futbollit në Shqipëri. Loja mori popullaritet në të gjitha lagjet e Shkodrës dhe në vitin 1909 u krijua skuadra e parë e futbollit, me emrin “Indipendenca” Mbas një interesimi akoma më të madh filluan të krijohen grupe të vogla sportive, të cilat më 16 Shkurt 1919 u bashkuan për të krijuar shoqërinë e vetme sportive të quajtur “Vllaznia”.
E solla këtë dëshmi, për të risjellë në mëndjen e gjithësecilit prej nesh se sa i rëndësishëm ka qëne dhe është për Shkodrën futbolli dhe në mënyrë të pazgjidhshme “Vllaznia”.
Lidhjet shembullore shpirtërore dhe fizike e shkodranëve me sportin janë rrënjët e këtij qyteti.
Stadiumi “Loro Boriçi" është zemra sportive e Shkodrës, është pjesë e kujtesës së saj historike, është shtëpi e dytë e shumë sportistëve e sportdashësve.
Përmirësimi i kushteve të lojës, përshtatja në standardet që kërkon FIFA dhe UEFA, janë një shans që ne duhet të dijmë ta përdorim për të përmirësuar cilësisht sportin në Shkodër dhe sado pak jetën tonë.
Ndërtimi i stadiumit të ri “Loro Borici”, mbi themelet e stadiumit të vjetër, në zemër të Shkodrës, do të shërbejë si një bazë e fuqishme për nxitjen dhe çuarjen më lart të cilësisë sportive të ekipeve profesioniste të Klubit Sportiv "Vllaznia" dhe të ekipeve kombëtare.
Pa dyshim, stadiumi “Loro Borici” është një vlerë e shtuar për jetën sportive dhe ekonomike të Shkodrës.
E gëzofshim këtë stadium dhe uroj sa më shumë fitore në këtë fushë magjike për skuadrat e zemrës:
Shqipërinë dhe Vllazninë!
[gallery columns="1" size="full" ids="31791,31792,31793,31794"]