
Superiorja ditën e djeshme ka mbyllur fazën e 2-të të kampionatit. Pas ndeshjeve të javës së 18-të Dinamo dhe Vllaznia kryesojnë me kuotë të njëjtë pikës, 31, ndërsa Skënderbeu nga ana tjetër mbyll klasifikimin e kampionatit.
Pas mbylljes së fazës së 2-të kemi mësuar edhe sulmin dhe mbrojtjen më të mirë të Superiores. Kështu në “Pole –Position” ndodhet skuadra e Vllaznisë. Shkodranët janë ekipi që kanë shënuar më shumë gola në 18 javë.
Kuqeblutë kanë gjetur rrugën e rrjetës në 29 raste, ndërsa pas tyre vjen Dinamo me 28. Pikërisht Vllaznia dhe Dinamo kryesojnë Superioren. Ndërkohë sulmi më i keq është i Laçit, me kurbinasit që kanë shënuar vetëm 14 herë.
Nga krahu tjetër mbrojtja më e mirë deri më tani është ajo e Egnatias dhe Partizanit, të cilët kanë pësuar vetëm 15 gola. Ndërkohë mbrojtja më e keqe është e Bylisit që deri më tani ka pësuar 26 gola dhe pas ballshiotëve renditet Skënderbeu dhe Teuta.
