
Tirana dhe Bylis kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare”, përfundoi me rezultatin e barabartë 2-2. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi.
“Më vjen keq sepse nuk e kisha përgatitur ndeshjen për të hyrë në atë mënyrë. Ishim shumë të ngadaltë, nuk ishim në ritmën e duhur. Lojtarët tanë ishin të ngadaltë, të lexueshëm, nuk bëmë atë që kishim përgatitur. Nuk diskutohet që me meritë kalojmë në avantazh dhe për të disatën herë pësojmë të njëjtin gol.
Mendova të rrezikoja duke futur edhe lojtarë si Prenga. Për Ndrecën nuk është hera e parë që e bëri atë rol. Në pjesën e parë Gjumsi bëri atë që duhej të bënte, kur ka luajtur ka bërë mirë në atë pozicion. Ne arritëm të kthenim rezultatin.
Ndoshta vuajtëm pak, por ishin momente deri tek 2-2. Nga goditjet standarde erdhi dhe rasti golit. Te goli i barazimit ishin të pafalshme. Nuk mundet që një skuadër dhe fanellë si Tirana të trembej ashtu. Duhej të reagonim sepse kishte minuta.
Duhet të bëjmë maksimumin për të kaluar këtë situatë. Sot bëmë një gabim të madh për rrugën tonë në kampionat. Duhet të bëjmë akoma më shumë për të larguar këtë situatë.
Mbrojtësat duhet të jenë të përqendruar, por nuk e bënë. Kundërshtari merr topin, kalon në tranzicion dhe asnjë nga lojtarët nuk bën siç duhet. Gabuan të gjithë. Goli i dytë vjen nga një faull, goditje standarde, ku kërcen, ka luftë, ngel topi dhe reagon kundërshtari. Sa më shumë gabojmë në ndeshje, aq më shumë punojmë në stërvitje”, tha Shkëmbi.