Rivaliteti mes Tiranës dhe Partizanit është i zjarrtë e kurrë s’do të rreshtë së pushuari. Një rivalitet që i jep tonin futbollit shqiptar me dy klubet më legjendare të vendit. Të ftuar në podcasting e gazetares Sabina Mete, dy drejtueset e klubit, Goldi Halili dhe Blerina Bajko, kanë sjellë një mini-derbi në studio.
Në tematikën e tifozërive, Goldi Halili shprehet se Tirana ka tifozërinë më të madhe e më të flaktë dhe bën një krahasim me kundërshtarët ku tregon se ata të Partizanit nuk ia kanë dalë të mbushin katin e dytë në derbi.
“Ne jemi një komunitet shumë i madh, më i madhi në vend. Tirana ka tifozërinë më të madhe dhe më të flaktë. Meritojnë t’i dinë gjërat ashtu siç janë. Ndoshta Blerina nuk mund të jetë dakord, por unë flas statistikisht. Shoh një ndeshje derbi, po mar rastin më konkret, Tirana gjithmonë mbushte katin e parë dhe katin e dytë, ndërkohë që ndoshta gjenerimi i interesit të klubit të Partizanit mund të jetë po aq i shumtë, por ndoshta nuk e kanë të mundur për të ardhur në stadium. Por, unë e marr vetëm në një organizim të themi të vogël.
Ndjesia më e mirë, të paktën Tirana po sheh që ka shumë ndjekës jashtë. Demografia jonë shpërndahet duke nisur nga Londra, Amerika, Bruksel, Milano. Ditë për ditë vijnë foto të ndryshme, jo vetëm nga qytete europiane, por edhe nga kontinente të tjera dhe është diçka që ta bën zemrën të gufojë sepse kjo tregon që edhe pse ne mund të shkëputemi nga realiteti në të cilin ndodhemi në këto momente, ne mbartim identitetin me vete."