Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

DOSSIER

SPECIALE/ Kur "ylli" i DINAMOS detyrohej të linte futbollin prej basteve, njihuni me historinë e padëgjuar të Marko Andreas që u dënua për një skedinë

Shkruar nga NEWSPORT
SPECIALE/ Kur "ylli" i DINAMOS detyrohej të linte futbollin prej

Shumë njerëz e dashurojnë futbollin për energjnë, pasionin dhe spektaklin. Por, rëndësia e futbollit për disa të tjerë ka marrë dhe përmasa jetësore. Ditët e fundit, u përhap lajmi se të gjitha pikat e basteve dhe të lojërave të fatit do të mbylleshin deri në datën 1 janar të 2019, sipas deklaratës së Kryeministrit Rama.

Fenomeni i "llotove" është kthyer në "kancerin" e shumë familjeve shqiptare. Por, historia e llotove në vendin tonë nuk nis në kohën e demokracisë. Përpara viteve '90, Andrea Marko ishte njëri prej futbollistëve më të mirë në Shqipëri. Ai ka arritur që nën "thundrën" e regjimit diktatorial të provonte me miq të tij kuriozitetin dhe dëshirën e gjetjes së rezultateve të sakta të ndeshjeve të futbollit.

Lider dhe kampion te Dinamo, titullar me Kombëtaren, Marko fitoi gjithçka në karrierë. Por karriera e tij u mbyll në mënyrë dramatike në moshë të re. Talenti i tij e shpëtoi nga përndjekja dhe persekutimi i regjimit të kohës. Marko ka vuajtur gjatë gjithë periudhës së komunizmit nga "biografia e keqe". Gjyshi i tij u vra nga partizanët gjatë luftës antifashiste ditën e Kongresit të Përmetit, në hyrje të shtëpisë në Dhërmi.

Andrea kishte lidhje fisnore dhe me shkrimtarin e madh shqiptar Petro Marko, i cili nuk trajtohej nga regjimi politik komunist. Gjatë viteve që ai ishte kthyer në njërin prej lojtarëve më të njohur në kryeqytet Andrea zbuloi dhe një pasion të fshehtë. Ai ndiqte në fshehtësi të madhe kanalet italiane të RAI-t, të cilat transmetonin muzikë dhe ndeshje futbolli. Me anë të radios, ata mësuan se si të vendosnin baste për të gjetur rezultatin e saktë të çdo ndeshjeje të futbollit të huaj. Me karrierën e realizuar, papritur regjimi vendosi të hakmerrej ndaj tij.

Në 18 shkurt të 1986, ai u arrestua me akuzën se luante "bixhos në formën e lloto-sportit". Atëherë 29-vjeç, Andrea rrezikonte të dënohej me 6-7 vite burg. Por gjykatësi i dha lirinë pas 18 ditësh qëndrimi në burg. Dinamo kishte fituar titullin kampion, por Andrea nuk do ta gëzonte dot. Pasi u lirua, ai u tërhoq nga futbolli pa arritur moshën 30-vjeç.

Ironia e fatit qëndron se sot kur "bastet" dhe "fiksimet e ndeshjeve" kanë shkatërruar futbollin në Shqipëri dhe jashtë, askush nuk është dënuar. Ndërsa në regjimin komunist, një lojtar që e provonte thjesht si hobi, u detyrua ta paguante dëmin me karrierën e tij.

Pas disa eksperiencave si trajner skuadrash, Andrea Marko analizon dhe vlerëson ndeshjet e futbollit tonë dhe të huaj. "Bastet" u kthyen në damkën e karrierës së tij, edhe pse ai ishte njëri prej lojtarëve më të spikatur dhe më të dashur të kohës. /Newsport.al/

Tags:

DOSSIER

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga