
Nga Besnik Dizdari,
Ka qenë 1 Maj 1952 kur partia kërkonte të përuronte në Shkodër stadiumin e parë të Mbasluftës me mënyrën më të papranueshme, përmes një ndeshjeje lokale Dinamo e Shkodrës-Spartak i Shkodrës! Historia e këtij ndërtimi kishte nisur vetëm dy vjet më parë, më 27 Maj 1950, në orën 18:30, në prani të rreth 400 qytetarëve shkodranë para portreteve gjigande të Stalinit dhe Enver Hoxhës.
Gurin e parë do ta vinte, asokohe numri 2 i pushtetit komunist, zëvendëskryeministri dhe sekretari i KQ të Byrosë Politike të Partisë, Tuk Jakova, shkodran autentik, i cili ashtu drastikisht, siç do të binte forca e skuadrës së Shkodrës në hierarkinë e futbollit shqiptar, po ashtu do të binte edhe pushteti i tij për të mbërritur deri në burgosje e vdekje të parakohshme (1914-1959). Në fjalën e tij zyrtare në atë 27 maj 1950, shkëlqente kjo tiradë e kohës: “Stadiumi i Shkodrës, – tha Tuk Jakova, – është një vepër paqeje e qeverisë dhe popullit tonë, një qendër vëllazërimi dhe bashkimi, shkollë për përgatitjen e një rinie të fortë, të shëndetshme e të gëzuar”.
Këto ishin fjalët shembullore (emblematike) të Tuk Jakovës, për të cilin asokohe u tha se vetë ai kishte qenë nxitësi i parë për t’i dhënë Shkodrës një stadium. Kështu niste historia e stadiumit të parë të ndërtuar në Shqipërinë Komuniste, të cilit do t’i vihej emri i Vojo Kushit, Hero i Popullit nga Shkodra, në të vërtetë një sportist i mirë i Gjimnazit të Shkodrës, i rënë në luftën për çlirim mbas një qëndrese heroike të tij në një rrugë të Tiranës.
Për të mbërritur kështu brenda dy viteve te përurimi i 1 Majit 1952, kur Llazar Lipivani, kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve pranë Këshillit të Ministrave, pret shiritin. Projektuesi dhe drejtuesi teknik i punimeve, i paharrueshmi Irfan Tërshana, para luftës pedagog i edukimit fizik i gjimnazit të Shkodrës, është megjithatë në qendër të vëmendjes edhe ai me fjalën e tij. I ngritur në vetëm pesë shkallë, me një kapacitet afro 10.000 vendesh, me një terren mjaft të mirë për kohën, e vërteta është se ky stadium i ndërtuar edhe me kontributin vullnetar të banorëve të Shkodrës do të mbeste me kaq për mbi 35 vjet të tërë.
Spektatorët uleshin mbi tribunat me gurë varresh që gjendeshin rreth e rrotull, ku dalloheshin deri vonë epitafet me fjalë turke apo arabe. Një vepër kulture ishte ngritur duke shkatërruar një histori dhe një kulturë të vjetër së bashku. E rëndësishme ishte se tash Shkodra do ta linte Fushën e saj të Vjetër, të sukseseve të bujshme, për të ardhur te stadiumi i saj, po për habi të madhe për të rrëshqitur në humbjet e saj që nuk do të ndalnin përtej më shumë se një dekade... Ky pra ishte stadiumi i parë i Shqipërisë Komuniste. Përse Partia kishte vendosur t’ia niste ndërtimeve të stadiumeve me Shkodrën?
Në dukje të jashtme, Shkodra e atij viti përjetonte një farë qetësie “pamore”, mbasi për 6 vjet të tëra të Mbasluftës ajo ishte bërë epiqendër e një persekutimi të paparë. Çudia e madhe do të ishte se stadiumi do të ndërtohej brenda një kohe rekord: vetëm për dy vjet: 27 maj 1950 – 1 maj 1952! E vërteta tjetër fatale do të ishte se simboli i sportit shkodran, Vllaznia, kishte nisur edhe ajo rënien drastike. Vetëm mbas 4 viteve ajo do të rrënohej duke zbritur për herë të parë në Kategorinë e Dytë. U tha se me ndërtimin e stadiumit, Partia donte disi ta merrte me të mirë qytetin, të cilin brenda pesë– gjashtë viteve e kishte drobitur tejet, e kishte burgosur dhe persekutuar pa mëshirë.
Për oportunitet politik, ajo donte të bënte megjithatë një gjest në “respekt” të qytetit sportiv, i cili i kishte themeluar Shqipërisë të gjithë sportet, i kishte dhënë ndeshjen e parë zyrtare të futbollit (1913), kishte qenë kampioni i parë i futbollit të Shqipërisë së Mbaslufës (1945, 1946). Në Fushën e Vjetër të tij ishte themeluar Kombëtarja e Shqipërisë në ndeshjen e saj ndërkombëtare, 22 shtator 1946, Shqipëri – Mali i Zi 5-0 me 7 lojtarë shkodranë në 11-sh, me të cilët mbas pak javëve Shqipëria do të bëhej Kampione e Ballkanit.
Nga ana propagandistike, Partia kërkonte të pohonte se respektonte vlerat tradicionale kulturore-sportive dhe se stadiumi i parë i Shqipërisë së “Re” i takonte Shkodrës. Dhe kështu u bë. Është Shkodra – themeluese e futbollit kombëtar, madje dhe e sportit kombëtar. Pa harruar kurrë ndërkaq, se ky është stadiumi i Shkodrës, qytetit i cili ka mposhtur deri edhe një Hajduk të Splitit, një Dozha të Budapestit, një Austria të Vjenës, një Dinamo të Tbilisit. Ky është stadiumi që ka regjistruar rastin e vetëm në historinë e Shqipërisë ku një klub ka fituar ndaj Kombëtares së një shteti tjetër: Vllaznia-Algjeria 3-0 më 1976.
Ky është stadiumi ku kanë paraqitur rezultatet e tyre të nivelit botëror në atletikë një si Skobla, një Mandlik dhe deri te legjendari Nih Chin Chin. Dhe si përmbyllje: ky është stadiumi, i cili me trajnerin, mjeshtrin, Ramazan Ragami, u ka dhënë kombëtareve të Shqipërisë arritjen më të bujshme të derisotme në historinë e futbollit shqiptar: Shpresa e Shqipërisë midis 8 më të mirave të Evropës: Shkodër. Stadiumi kombëtar “Loro Boriçi”, 1983: Shqipëri–RF Gjermane 1-1 dhe Shqipëri-Austri 3- 0. Ai që njeh mjedisin e tribunave të tij, e kupton se pa këto ndeshje Shqipëria nuk do të çudiste Evropën atë vit 1983... Eshtë stadiumi i Shkodrës ai që me mjediset e tij, falë edhe një sipërmarrjeje të madhe të presidentit të asaj kohe të Vllaznisë, Myftar Çela – promotori i pashlyeshëm i zhvillimit në këtë stadium të ndeshjes Shqipëri–Rusi 3-1 – që tregoi një organizim të shkëlqyer.
Mjedise të gjëra e komode të nëntribunave për skuadrat, e ndonëse pa një tribunë mirëfilli shtypi për gazetarët, vendet që u hapen për to në tribunën qendrore, kujtoj se qenë ndër më lehtësueset që ne si gazetarë kemi përjetuar ndonjëherë në një ndeshje të Kupës së Evropës në Shqipëri, çka ky stadium i plotësoi po aq mirë edhe në ndeshjen e lartë të rangut tjetër evropian, Vllaznia- Napoli, për Ligën e Evropës.
Të gjitha këto e bëjnë edhe më historik stadiumin kombëtar të Shkodrës, i cili mban emrin e Mjeshtrit të parë të Merituar të Sporteve në Shqipëri, legjendarit për ne, Loro Boriçi. I riprojektuar nga arkitekti i mirënjohur Reshat Koçkiqi, në fund të vitet ’80 të shekullit të shkuar ai u nis për t’u rindërtuar për rreth 30.000 vende. Kur ashtu si më 1950, prapë do të nxitej prej një funksionari të lartë Partie, Muho Asllani, sekretar i Parë dhe anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së, por i lënë përgjysmë po nga Partia, e cila, drejt me thënë, me arrogancën e saj u pendua për këtë ndërmarrje duke e quajtur luks. Ishin vitet e fundit të saj... Kapaciteti aktual i stadiumit është 14’200 vende. Dy fjalë për legjendën Loro Boriçi: Loro Boriçi u lind më 22 gusht 1922, në qytetin e Shkodrës. Ai rridhte nga një familje e vjetër shkodrane dhe shumë e njohur në qytetin e Shkodrës. Familja përbëhej nga gjashtë fëmijë, tre djem, Marku, Loro e Pjerini, si dhe nga tri vajza, Angjelina, Margarita dhe Klarinda.
Loro Boriçi vdiq në vitin 1984, në moshën 62-vjeçare, që për një sportist mund të quhet vdekje e parakohshme. Loro vdiq nga një sëmundje e rëndë, ndonëse ishte në një moshë jo shumë të vjetër. Në sëmundjen e tij mund të ketë ndikuar shumë edhe gjendja e tij shpirtërore, por edhe cigaret e shumta që ai tymoste. Mund të bëhet fajtore gjendja shpirtërore, pasi Lorua ishte tip shumë i ndjeshëm dhe i përjetonte thellë si momentet e gëzimit, ashtu edhe ato të hidhërimit. Në fakt, për kurimin e tij jashtë vendit, gjë për të cilën në atë periudhë kërkohej leje speciale e rezervuar për shumë pak shqiptarë, ndërhyri vetë Ramiz Alia, i cili, si shkodran që ishte, dha urdhër që Loros t'i bëheshin të gjitha përkujdesjet e mundshme për përmirësimin e shëndetit.
Por, megjithëse u dërgua jashtë për kurim, ai nuk mundi të shpëtonte dot. Artikull i punuar mbi të dhënat e shkrimit: ‘Stadiumi kombëtar “Loro Boriçi” s’ka rivalë në përparësinë e rindërtimit të tij’.