
Çështja “Alphonso Davies” ka qenë një nga më të përfoluar muajit e fundit në Gjermani. Mbrojtësi i majtë i cili aktualisht luan për Bayern Munich, shpeshherë është lidhur me një largim të mundshëm dhe destinacioni ka qenë Real Madrid.
Por së fundmi, kanadezi ka folur dhe ka qetësuar disi klubin gjerman. Davies është shprehur që ndihet shumë rehat te Bayerni, duke i cilësuar këta të fundit si një nga më të mirët në Evropë.
“Ndihem shumë rehat këtu. Unë luaj në një ekip të jashtëzakonshëm, një nga klubet më të mira në Evropë. Dua të qëndroj i fokusuar dhe të japim gjithçka për ekipin dhe tifozët tanë. Stili im i lojës ka ndryshuar pak që nga fillimi. Sot di të bëj shumë gjëra shumë më mirë se katër vjet më parë. Sigurisht, sot kam më shumë përvojë, por jam ende i ri dhe dua të vazhdoj të mësoj dhe të përmirësohem”, është shprehur Alphonso Davies.
Kujtojmë që kontrata e 23-vjeçarit me bavarezët përfundon më 30 qershor të vitit 2025 dhe klubi i trembet shumë largimit të kanadezit si lojtarë i lirë.