
Ishte marsi i vitit 1973. Askush nuk i ndalte dot në fushë vajzat e Beratit që në Volejboll bënin kërdinë, dhe po atë mars, e bënë Dinamon të "fliste me vete".
Në arkivën e kujtimeve të sportit të Beratit vjen edhe kjo foto e vajzave të Volejbollit që mundën për 38 minuta, me rezultatin 3 me 0, Dinamon. Vajza që bënë të dridhet qyteti i një mbi një dritareve nga oshëtima e gjithë atyre që i ndiqnin. Dhe jo vetëm kaq, ishin "tmerri" i Dinamos. Do të krahasoheshin ato ditë në qytet, me vajzat e Brazilit a Gjermanisë. E Jo më kot, morën titullin e nënkapionit për volejbollin beratas për femra po atë vit.
E në foto dallohen Pranvera Elezi (Bakalli), Ollga Gjogu (Qafa), Natasha Doga (Leci), Nurisha Selimi, Lubjana Cerova (Aliaj), Eduarta Turku e Shmalluni. Një brez vajzash volejbolliste që nuk do të harrohet nga ata që i kanë parë duke fluturuar mbi rrjetë.
Margalina Doga, volejbolliste e kohës, edhe pse ka luajtur këtë ndeshje kujton se nuk është në foto: "Ndoshta kam qenë në dhomat e zhveshjes. Mungoj unë dhe Vasilika Gogu. Nuk do na linin kurrë ta merrnim titullin. Por titullin na e ka dhënë tifozeria beratase" shkruan Doga në kujtim të kësaj foto dhe ndeshjeje të madhe.
"Ky është ekipi im I zemrës, së bashku me vitet e bukura të rinisë sime. Një korrigjim për foton. Në gjashtëshen fituese të ndeshjes mungon pasuesja Vasilika Gogu dhe unë. Motrat e mia, Natasha dhe Nurishaja nuk kanë luajtur atë ditë", kujton Margalina Doga, ndërkohë që komenton foton.
Dhe një foto si kjo, provokon kujtimet. Shkruan Sokol Myzeqari:
"Nuk kam lënë të dielë pa shkuar te këndi i lojrave 10. Ende sot i kam të freskëta emocionet që n aka dhuruar ky ekip. I kam ndjekur këto vajza të talentuara qysh me ekipin e të rejave kur dolën kampion dhe në kategorinë e dytë ku u shpallën kampion. Mbaj mend pluhurin e kuq që ngrihej në fushë kur zhyste Ollga dhe tifozët që thërrisnin: Një minut arbitër sa të mbyllim gropën. Humori buronte natyrshëm se këto çupa gjithmonë e nderonin Beratin", shkruan tifozi i dikurshëm me nostalgji për ndeshjen.
Të gjithë bien dakord për një gjë: sot Bashkia e Beratit nuk investon asgjë për të kthyer shkëlqimin e dikurshëm të Tomorrit, shkëlqim që mbizotëronte në pingpong, mundje e volejboll. Tashmë protagonistëve u kanë mbetur kujtimet, fotot e vjetra të nxjerrë nga sundukët, e komentet në rrjetet sociale. /NEWSPORT.AL/