
Flamurtari nis fazën e 3-të të Kategorisë së Parë këtë fundjavë në shtëpi. Vlonjatët presin Valbonën në stadiumin “Flamurtari” të shtunën në orën 13:30.
Tekniku Andrea Agostinelli ka folur në konferencën për shtyp në Vlorë ditën e sotme. Trajneri italian është i kënaqur me 16 fitore në total në pankinë vlonjate dhe me pozicionin që të dërgon në Superiore.
Ish-i i Partizant mendon se kalendari është i favorshëm me 6 takime brenda nga 11 këtë fazë dhe i bën thirrje ekipit kuqezi që mos të nënvlerësoj tropojanët që luajnë për të qëndruar në kategori.
“Nis tashmë faza e tretë. Duhet të jemi gati siç kemi qenë deri tani. Kjo është një fazë delikate.
Ndeshjen e së shtunës e shikoj si një takim ku dhe mund të hasim vështirësi, pasi kundërshtari do të rreshtohet në mbrojtje. Duhet të bëjmë kalkulime. Skuadra është në këtë pozicion dhe ne duhet të arrijmë objektivin që kemi. Kalendarin e shikoj normal.
Jemi ndeshur me të gjitha skuadrat, kemi 16 fitore nga 22 ndeshje në total. Në vijim nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Me Valbonën në transfertë fituam në momentet e fundit, ndërsa në Vlorë e mposhtëm 2-0.
Nuk ka asgjë të lehtë. Është një ekip që lufton për mbijetesë. Pres natyrishtë luajnë në mbrojtje. Skuadra ka entuziazëm, ta vëri në punë që të shkojmë te goli më qetë.
Grupi është i plotë kemi vetëm 2 mungesa. Kushdo që zbret në fushë jep patjetër maksimumin. I kam thënë djemve të mos shikojnë renditjen aspak”, u shpreh Agostinelli.