Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

Marketingu, komunikimi dhe transformimi digjital në fokus të workshop-it të UEFA Grow në FSHF

Shkruar nga NEWSPORT
Marketingu, komunikimi dhe transformimi digjital në fokus të
Workshop i FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit mirëpriti në “Shtëpinë e Futbollit” workshop-in dyditor “UEFA Grow Commercial and Marketing”, një aktivitet i organizuar në bashkëpunim me UEFA-n, me fokus zhvillimin e strategjive të marketingut, komunikimit dhe transformimit digjital.

Në këtë workshop morën pjesë Oleksandr Kucheriavyi, Menaxher i Zhvillimit të Strategjisë në Divizionin e Federatave Anëtare në UEFA, Mario Leo, mentor i programit UEFA Grow dhe ekspert i platformave digjitale, si edhe Douglas Thackeray, konsulent për Marketingun Sportiv në UEFA.

Nga ana e FSHF-së ishin të pranishëm përfaqësues të Departamentit të Komunikimit & FSHF TV dhe Departamentit Komercial, të cilët diskutuan së bashku me ekspertët e UEFA-s mbi prioritetet strategjike dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve komerciale dhe komunikimit institucional.

Gjatë sesioneve të punës u analizua situata aktuale dhe tendencat më të fundit në peizazhin digjital, ndërsa u diskutuan një sërë temash që lidhen me zhvillimin e produkteve dhe markës, strategjitë e marketingut dhe sponsorizimit, si dhe rritjen e potencialit komercial të futbollit shqiptar.
Paralelisht, pjesëmarrësit trajtuan çështje që lidhen me komunikimin dhe marketingun digjital, duke përfshirë analizën e të dhënave, monitorimin dhe matjen e performancës, partneritetet digjitale, koordinimin ndërmjet departamenteve dhe krijimin e përmbajtjeve që gjenerojnë angazhim te publiku.

Një pjesë e rëndësishme e workshop-it iu kushtua ndërtimit të objektivave afatmesëm dhe afatgjatë, si edhe hartimit të planeve konkrete të veprimit për forcimin e pranisë së FSHF-së në kanalet digjitale, rritjen e ndikimit të platformave të saj dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me tifozët, partnerët dhe grupet e interesit.
Në përfundim të workshop-it, grupet e punës prezantuan konkluzionet dhe rekomandimet kryesore, duke përcaktuar hapat e ardhshëm për implementimin e strategjive dhe objektivave të dakordësuara.

Procesi synon të mbështesë më tej vizionin e FSHF-së për modernizimin e komunikimit, rritjen e vlerës së markës së futbollit shqiptar dhe zhvillimin e një qasjeje të integruar në fushat e marketingut, komunikimit dhe komercializimit.
Ky workshop u zhvillua në kuadër të programit UEFA Grow, i cili mbështet federatat anëtare në forcimin e kapaciteteve të tyre organizative, strategjike dhe komerciale, duke ofruar ekspertizë dhe praktikat më të mira europiane në fusha të ndryshme të menaxhimit të futbollit.

Tags:

workshop fshf

Poll

Lexo gjithashtu