Arbër Hoxha është kthyer në temë diskutimi në Kroaci. Sulmuesi i cili aktivizohet me Slaven Belupo në elitën e futbollit kroat, ka fituar vëmendjen e disa ekipeve me emër nga paraqitjet që shqiptari ka bërë.
Dinamo e Zagrebit dhe Ferencvaros janë dy ekipet që kanë më shumë interes për shërbimet e lojtarit. Kujtojmë që Ferencvaros është ish-ekipi i Myrto Uzunit. Por gjigandët kroatë janë ata që e kanë kontaktuar klubin ku luan shqiptari, për ta pyetur në lidhje me shërbimet e këtij të fundit.
Në një prononcim ekskluziv për NEWSPORT.AL është vetë 25-vjeçari që flet për këtë temë. Ai shprehet se kjo është në dorën e menaxherit (agjentit) të tij dhe se nuk e ka menduar largimin, të paktën derisa të kryhen dy ndeshjet e mbetura për këtë vit.
“Për momentin nuk jam në dijeni. E di që kanë interes të dyja ekipet, por është menaxheri (agjenti) ai që i ka punët në dorë. Të largohem nga Slaven Belupo këtë janar? Nuk është se e kam menduar atë pjesë momentalisht. Derisa të kryhen edhe dy ndeshjet e mbetura”, është shprehur shkurtimisht Arbër Hoxha.