
30 vjet nga sot, saktësisht 10 tetori i vitit 1988 ishte koha kur futbolli shqiptar u njollos dhe jo për faj të ndonjë skuadre, trukimi apo manovre tjetër, por për shkak të polikave të caktuara që vendosën të
"fundosnin" Flamurtarin e asaj kohë duke goditur disa nga lojtarët dhe drejtuesit më në emër.
Bëhet fjalë për Flamurtarin që kishte fituar tre Kupa Repulike në dy vjet. Ishte skuadra e parë shqiptare që kishte kaluar në turin e tretë të Kupave të Europës. Ishte skuadra që synonte çdo vit titullin kampion, por tolerimet e ekipeve të provincave ndaj ekipeve të Tiranës dhe ndëshkimi i arbitrave, nuk e lejonin ta fitonte atë.
Ishte koha kur vlonjatët i "shqyenin" nëpër dogana kur ktheheshin triumfator nga ndeshjet ndërkombëtare jashtë Shqipërisë, por kjo nuk mjaftoi. Në Tiranë u gjet formula për të shkatërruar plotësisht këtë skuadër dhe dëmtuar një herë e përgjithmonë emrat legjendarë të futbollit të kësaj kohe.
Komiteti i KP i BFSSH-së në mbledhjen e datës 10 tetor 1988 pasi analizoi problemin e shfaqjeve të huaja të futbollistëve të "Flamurtarit" vendosi:
Futbollistët Vasil Ruçi, Petro Ruçi dhe Alfred Ziaji, të përjashtohen nga veprimtaritë sportive kombëtare, për shfaqje të huaja të përsëritura.
Futbollistët Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Viktor Daullja e Sokol Kushta, përjashtohen nga veprimtaritë sportive kombëtare me afate të ndryshme, si dhe u jepet masë me paralajmërim futbollistëve Agim Bubeqi, Eqerem Memushi, Latif Gjondeda, Perlat Sevo dhe Anesti Arapi.
Ekipi i futbollit "Flamurtari" dënohet një vit nga veprimtaritë ndërkombëtare kur e fiton të drejtën për të marrë pjesë në to dhe asnjë futbollist i tij nuk do të aktivizohet në veprimtaritë ndërkombëtare deri në 30 qershor 1989.
Trajnerëve të ekipit Niqifor Thomai dhe Fatmir Gjebrea si dhe drejtuesve të organeve të fizkulturës së rrethit Vlorë, Gani Mezini e Ilir Çela u jepet vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për punë të dobët edukative me ekipin e futbollit.
Kjo ka qenë periudha më e artë dhe errët në të njëjtën kohë për vlonjatët që nuk morën atë që merituan, përkundrazi, u dënuan sepse e tillë ishte politika që duhej ndjekur dhe kështu ndodhi, Flamurtari më i suksessëhm i të gjitha kohërave u shkatërruar dhe tashmë mbetet të kujtohet vetëm si histori ky sukses dhe legjendat e kësaj skuadre që nuk kishin çfarë të bënin tjetër vetëm se të ulnin kokën dhe të respektonin vendimin e marrë në mbledhjen e datës 10 tetor 1988.