Ky sezon për Elbasanin mund të quhet me të drejtë një edicion brenda kornizave të pritshmërive për sukses. Verdheblutë ia dolën që fillimisht të sigurojnë kualifikimin për në kupat e Europës, ndërsa tashmë janë shumë pranë fitimit të titullit, pas 20 vitesh.
Të besuarit e trajnerit Ivan Gvozdenovic do të përballen me Vllazninë në “përplasjen” direkte që mund të sjellë dhe verdikte të rëndësishme e nga ku, Elbasani niset me shumë motive për të marrë maksimumin në 90 minuta.
Mes këtyre motiveve, vlen të përmendet dhe premio e majme e premtuar nga presidenti Kujtim Llupa i cili u shpreh në një prononcim për RTSH-në javën e kaluar se lojtarët do të shpërblehen me 100 milonë lekë të vjetra nëse bëjnë realitet këtë objektiv.
Krahas kësaj, dëshira e madhe për ta mbyllur me trofe, duke kthyer sytë po ashtu dhe nga e kaluara se si nisi i gjithë ky rrugëtim, të bën të mendosh se Elbasani do të provojë të luajë të gjitha kartat e mundshme për të arritur te trofeu, madje duke shpresuar edhe për një hap të gabuar të Egnatias në përballjen paralele me Dinamon.
