
Për brezin e ri mund të jetë një emër me të vërtetë i panjohur sepse ne jemi nga ata që "harrojmë" yjet që dhanë shumë për këtë vend dhe sport. Sefedin Braho është një legjendë e vërtetë e futbollit shqiptar në përgjithësi dhe e atij gjirokastrit në veçanti. Në memorie, një legjendë të tillë të sportit më të dashur për të gjithë e sjellë gazetari Engjell Serjani.
Në një postim të tijin në profilin e tij personal në Facebook ai ka shfaqur një foto me legjendën e futbollit shqiptar. Krahas fotos ai na jep edhe një "copëz" të artë të historisë së Brahos. Braho një nga më të mirët në vendin tonë në vitet 70-80 u shqua për gjatë gjithë karrierës së tij për shpejtësinë që e karakterizonte. Ishte aq i shpejtë dhe i pakapshëm nga kundërshtarët saqë tifozët e pagëzuan me nofkën "shigjeta".
Serjani kujton se asnjë nuk e ka arritur deri më tani nivelin e tij të jashtëzakonshëm. Fitues disa herë i anketës vjetore si futbollisti më i mirë në vend. Ndërkohë në shkrim tregohet edhe një histori interesante ku në kohën kur Braho aktivizohej me Partizanin, të kuqtë luajtën në Skoci kundër Celtic. Klubi legjendar skocez kërkoi zyrtarisht fanelën e Brahos që ta vendoste në muzeun e klubit pasi kishin parë te ai një lojtar të jashtëzakonshëm.
Ishte një super talent i lindur i futbollit, por "fatkeqësia" e tij ishte se kurrë nuk luajti jashtë vendit për shkaqe që lidhen me politikën që aplikohej në ata periudhë në vendin tonë. Braho ishte futbollisti ku harmonizimi i shpejtësisë me teknikën e futbollit ishte mëshiruar në mënyrë perfekte. Legjenda të tilla të sportit janë të vlefshme të tregohen dhe të reklamohen. Nuk duhen lënë në harresë për brezin e ri, brezin të cilin nuk njeh thuajse asnjë prej "heronjve" të viteve të kaluara në futbollin tonë.
[gallery size="full" columns="1" ids="198707"]