
Nga Adriatik DOSTI
Në historinë e futbollit lushnjar e atij shqiptar bashkë, kujtohen gjithmonë si mbrojtës të fortë e vështirë të kalueshëm Gogoni, Shandro, Gjeçi, Stamo, Bano, Dabulla etj....Por, pa dyshim më i spikaturi mes tyre, më i kompletuari, më i suksesshmi e më i dekoruari me tituj e trofe mbetet ai që pothuajse dominoi këtë repart në futbollin shqiptar të viteve 90', Saimir Malko.
Një mbrojtës tipik modern në postin që luante e gati polivalent. Shtatlartë (1. 84) e me një përgatitje fiziko - atletike për t'u pasur zili. I qetë, i saktë e deçiziv në ndërhyrjet e tij, por dhe shumë i pastër në lojë, mjaft i disiplinuar taktikisht. Kishe vërtet qejf ta shikoje në lojë, po aq sa bindeshe që ishte një ndër pikat më të forta të ekipit te tij dhe një garanci më shumë per çdo trajner që pati fatin ta ketë në planet e formacionin e tij.
Malko lindi në qytetin e Lushnjes më 17 Mars 1970
Talenti i tij për futbollin si dhe të dhënat mjaft premtuese do ta sillnin në shkollën e Mjeshtërisë Sportive "Loro Boriçi", ende pa i mbushur 15 vjeç. Këtu do të binte në duart e teknikut Bujar Kasmi, i cili figuron edhe si trajneri i parë i tij. Do të luajë për Shkëndijën për 4 vjet radhazi duke i ngjitur një nga një shkallet e cilësisë së tij sportive.
Në edicionin e parë në Kategorinë e Pare të futbollit shqiptar e ka më 1989/90 te Partizani, për t'u kthyer pas një sezoni te skuadra e qytetit te tij të lindjes, në Lushnje
Më pas për dy edicione radhazi do të jetë pjesë e Dinamos.
Por, për tre kampionate rresht madje duke shkëlqyer e duke fituar radhazi tituj e trofe, Malko do te vishte atë bluze qe dukej se i kishte hije më shumë së çdo lloj fanelle tjetër, fanellën bardheblu të Tiranës.
Në edicionet 93/96 si dhe 98/99, ai do te fitonte 3 tituj Kampione në radhët e kryeqytetasve, 3 Kupa të Shqipërisë si dhe një Superkupë të vendit. Pra për vetëm 4 sezone te luajtura te Tirana ai pa dyshim mbetet futbollisti me më shume tituj e trofe të fituara. Por, Malko mbetet edhe ndër të rrallët futbollistë shqiptarë që i ka veshur të tria fanellat e ekipeve të kryeqytetit.
Në vitin e Kempesit në Shqipëri e në kohën e ''artë" të Xhaferrit', Malko preferon edhe një herë të rikthehet te Lushnja, e cila atë vit (1997) kishte ndërtuar një skuadër vërtet të bukur e konkurrente. Një sezon më pas, Malko iu bashkua Flamurtari të Vlorës.
Vitet e fundit te karrierës së tij të gjatë futbollistike (17-vjeçare), shumë të suksesshme, por edhe tepër të larmishme, Saimiri e mbyll po me skuadrën e qytetit të tij të lindjes, Lushnjen. 1999 - 2005.
Luajti për plot 5 ekipe të zëshme të futbollit shqiptar, ku regjistroi përmbi 500 ndeshje në kampionate, Kupa e Superkupa e ku edhe pse në rolin e mbrojtësit do të shënonte 41 gola.
Në biografinë e tij sportive tepër të pasur, periudha 90'-98' padyshim është më e veçanta e ku natyrisht pothuajse çdo shkëlqim i tij lidhet vetëm me një emër, Tiranën.
Gjate kësaj kohe luan 6 ndeshje me ekipin Shpresa të Shqiperisë, po 6 ndeshje për Kupat e Europës si dhe brenda dy vjetësh 94'/96' aktivizohet në 15 ndeshje me ekipin kombëtar të Shqipërisë.
Pas lënies se karrierës futbollistike provon të jetë në rolin e trajnerit, ku gjatë periudhës 2008- 2013 do te gjendet në pankinat e Lushnjes, Besëlidhjes e Kamzës, duke dhënë më të mirën e tij te mundshme si dhe duke përcjellë atë përvoje e eksperiencë të pasur dhe të çmuar të tij si futbollist i dorës së parë, te lojtare e këtyre skuadrave.
Saimir Malko është ndër ata futbollistë shqiptarë që me kontributin e tij të gjatë, me trofetë e fituara, e me begraundin e pasur në futbollin e vendit të tij ka profilin e tij në FIFA dhe UEFA tepër të respektuar, me të dhëna e vlerësime mjaft interesante.
Duke qenë së gjatë periudhës që ai luajti futboll sidomos gjatë kohës që ishte pjesë e Tiranës dhe e ekipit kombëtar, unë kam qenë shume pranë bardhebluve dhe kuqezinjve, kam pasur rastin ta njoh Malkon shumë mirë në të gjitha drejtimet.
Një djalë i qetë, tepër pasionant për futbollin, shumë i edukuar , i sjellshëm e i shkueshëm me të gjithë, mjaft i respektueshëm nga trajnerët, por edhe tifozët e futbollit në çdo qytet që luajti.
Ai respektoi gjithkënd në fushën e lojës, por edhe jashtë saj, ndaj mori vetëm respektin dhe simpatinë e të gjithëve për gjithë kohën që ishte pranë futbollit si lojtar e si trajner, e mbi të gjitha mbeti një qytetar e shok i mirë, me të cilin kishe vërtet dëshirë të uleshe të pije një kafe e të bisedoje si njeri.
Faleminderit Saimir Malko për gjithçka të bukur që i dhe futbollit shqiptar.
Respekte për çdo gjë njerëzore e që vinte era qytetari që ti ke lënë në kujtimet e të gjithë atyre që patën mundësi të të njohin nga afër, te shijojnë talentin tënd, por edhe thjeshtësinë e njerzillëkun tënd për të cilat aq shumë ka nevoje ky vend sot.
Në foto, një intervistë e imja me Malkon, në fushën e stadiumit ''Selman Stërmasi '' më 15 Maj 1996 kur Tirana do të fitonte Kupën e 43-të të Shqipërisë pas finales dramatike me Flamurtarin (5 - 3) me penallti, pas barazimit 1 - 1 të sfidës.