
Partizani do të luajë në turin e parë kualifikues të Champions League. Demat do të sfidojnë më 11 korrik skuadrën e Bate Borisov. Një kundërshtarë i kalueshëm për të kuqtë, të cilët do të synojnë të shkojnë sa më larg në këtë kompeticion.
Sfidën e parë kryeqytetasit do ta luajnë në “Air Albania” më 11 korrik duke nisur që nga ora 20:45. Ardhja e Zoran Zekic ka shtuar entuziazmin te të kuqtë, ku në shkallët e stadiumit pritet të ketë një numër të lartë të tifozëve.
Pikërisht për këto të fundit, UEFA ka një lajm aspak të mirë. Në ndeshjen e një viti më parë në Conference League ndaj Saburtalos, për shkak të trazirave që ndodhën pas gjuajtjes së penalltive të kuqtë u dënuan.
Në këtë mënyrë ndaj Bate Borisov vazhdon të jetë në fuqi një vendim i tillë dhe rreth 3000 vende në shkallët e stadiumit do të jenë të boshatisura.
“UEFA ka vendosur të urdhërojë mbylljen e pjesshme të stadiumit të FK Partizanit gjatë ndeshjes së ardhshme si pritës në kompeticionet e UEFA-s. Partizani do të informojë para ndeshjes për sektorin që do të mbyllet, që do të përmbajë të paktën 3000 ndenjëse”, shkruante UEFA.